zoom

Politikë

Kush është ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri

Gjermanja Christiane Hohmann do të jetë Ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri, duke zëvendësuar në këtë pozicion italianin, Luigi Soreca.

Hohmann aktualisht mban postin e Ambasadores së Gjermanisë në Estoni, ndërsa vjen nga një përvojë e gjatë në diplomaci.

Ajo është njohëse e mirë e rajonit, pasi më herët ka qenë Ambasadore e Berlinit në Bosnje. Emërimi i saj është bërë nga kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Hohmann e ka nisur karrierën në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin dhe nga viti 1994 deri në 1997 në Ambasadën Gjermane në Shtetet e Bashkuara. Më pas, ajo punoi përsëri në Zyrën Federale të Jashtme ndërmjet viteve 1997 dhe 2000 dhe si përfaqësuese e përhershme e ambasadorit në Kamerun nga viti 2000 deri në 2003.

Nga 2005 deri në 2010 ka punuar pranë Komisionit Europian për t’u rikthyer në Ambasadën Gjermane në SHBA.

Në vitin 2016, Christiane Hohmann zëvendësoi Christian Hellbach si Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë. Në korrik 2019, ajo u transferua në Ambasadën Gjermane në Estoni.