zoom

Politikë

Kush do të jetë kreu i ri i SHISH? Rama e Begaj diskutojnë emrat në Presidencë

Mëngjesin e sotëm, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim 30-minutësh me Presidentin Bajram Begaj, në zyrën e këtij të fundit.

Takimi kokë më kokë mësohet se ka patur në qendër të vëmendjes zgjedhjen e kreut të ri të Shërbimit Informativ.

Vetë Begaj, janarin e këtij viti deklaroi në një intervistë për “Zëri i Amerikës” se e konsideronte prioritet vendosjen e një drejtuesi të ri në SHISH dhe se ishte në konsultime me kryeministrin.

“Është një institucion shumë i rëndësishëm. Jemi në konsultime me Kryeministrin për gjetjen e emrit për drejtuesin e SHISH-it,”– u shpreh Begaj gjatë intervistës.

Zëri i Amerikës: A pritet që këto konsultime të përfundojnë shpejt dhe të mos kemi muaj të tjerë pa drejtuesin e SHISH?

Patjetër, do të jetë një çështje që do të jetë në prioritetet tona. Siç e përmendët, çështjet e sigurisë kombëtare janë shumë të rëndësishme. Sfidat e sigurisë globale kanë ndryshuar, janë shtuar. Përveç sfidave të sigurisë kemi dhe sfidat që lidhen më sigurinë energjetike, atë kibernetike, sigurinë ushqimore, sigurinë publike, kështu që duhet patjetër të gjejmë një zgjidhje,”- vijoi Presidenti i Republikës.

Por a ka tanimë emra konkretë në tryezë dhe kush pritet të jetë kreu i ri? Pak javë më parë, sërish në një intervistë, këtë herë për emisionin “Pa Censurë”, Begaj u pyet rreth asaj çfarë kishte deklaruar më herët, se po konsultohej me kryeministrin e vendit.

“Pse po vonoheni kaq shumë? Kaq e vështirë është të gjendet dikush me integritet dhe profesionist për këtë post delikat?”- qenë pyetjet drejtuar tij.

“Dua të sqaroj se aspak nuk është e vështirë që në vendin tonë të ketë kapacitete njerëzore me profesionalizëm të lartë, me integritet të lartë për të qenë drejtues i SHISH. SHISH është një institucion mjaft i rëndësishëm i sigurisë sonë kombëtare dhe procesi i përzgjedhjes, natyrisht, që do të kalojë hallkat institucionale,”- u përgjigj Begaj.

“Ju ka sjellë kryeministri një emër?”- vijoi intervista.

“Nuk kam një emër konkret në tavolinë. Ju thashë, përzgjedhja e emrit do të bëhet në bazë të meritave individuale, kapaciteteve profesionale dhe integritetit njerëzor. Jemi në proces.”

Më 23 dhjetor 2022, Presidenti Bajram Begaj dekretoi lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Helidon Bendon.

Duhet thënë se takimi i sotëm në Presidencë vjen pak ditë para nisjes së kreut të qeverisë, Ramës, në Greqi, ku do të ketë një ekspozitë me pikturat e tij.

Ndonëse vizita nuk është zyrtare, Rama do të takojë homologun e tij grek, Mitsotakis apo edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dendias, ku nuk përjashtohen diskutimet për çështjet dypalëshe. Një ndër më të rëndësishmet është çështja e detit, për të cilën palët kanë rënë dakord për ta çuar në Gjykatën e Hagës, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete. E gjitha kjo mendohet të ketë qenë një tjetër temë bisedimesh mes tyre, përgjatë mëngjesit të sotëm.

Mes të tjerash, tjetër temë listohet ajo e emërimeve të përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë në vendet e juaja, ku një numër i konsiderueshëm ambasadorësh shqiptarë kanë mbaruar mandatet.

Takimi i fundit i Ramës me Begajn ishte më 6 janar./ Zoom.al