zoom

Politikë

Kurti tregon marrëdhëniet me Ramën: Kemi mospajtime, por s’e kemi luksin të zihemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar edhe njëherë për marrëdhëniet e qeta me homologun e tij Edi Rama. Edhe pse prej kohësh spekulohet një ftohje e marrëdhënieve mes tyre, Kurti sqaroi se pavarësisht disa mospajtimeve, Kosova dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë, dhe si rrjedhojë nuk është në interes të asnjë pale të ketë një raport të ngrirë.

Pak ditë pasi situata në Kosovë po vlon pas marrëveshjes Kosovë-Serbi në Ohër, Kurti nuk është ndalur vetëm aty, ndërsa i ka qëndruar pohimit se Serbia i ka dhënë Kosovës një njohje de facto. Kurti nënvizoi se bashkëpunimi nuk është zgjedhje, por obligim mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Nuk ka qenë asnjëherë i përkeqësuar, por ne i kemi dallimet e kemi edhe mospajtim. Jemi dy kryeministra që nuk e kemi jo luksin, por as të drejtën të mos bashkëpunojmë. Kushdo që është kryeministër në Shqipëri, kryeministri i Kosovës e ka për detyrë të komunikojë e bashkëpunojë për kundër dallimeve, sepse edhe interesat e qytetarëve tanë dhe kombit mbarë në përgjithësi na kërkojnë një detyrë e një përgjegjësi të tillë”, ka thënë Albin Kurti.

Kurti, ka folur edhe për qëndrimin e tij për Ballkanin e hapur. Kreu i qeverisë së Kosovës është shprehur se një iniciativë e tillë, nuk ka strategji pra është shterpë.“Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as ëebsite nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi”.