zoom

Kosova

Kurti “shpërthen” ndaj Prokurorisë Speciale: Regjisorë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpërtheu në akuza ndaj Prokurorisë Speciale këtë të hënë, pas thirrjes që ai ka marrë për t’u pyetur si dëshmitar.

Kurti sfidoi Prokurorinë Speciale publikisht se nëse është e interesuar të marrë dëshminë e tij rreth skandalit me rezervat shtetërore, ajo duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së kabinetit të tij, që intervista në fjalë të realizohet në zyrën e kryeministrit.

Ai e ka quajtur “regjisor” kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj, duke thënë se ai dëshiron të prodhojë një “lajm ndërkombëtar” se kryeministri merret në pyetje për një rast korrupsioni.

“Pikërisht ky prokurori Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje ku unë hyj në Prokurori dhe krijon një lajm ndërkombëtar që kryeministri i Kosovës po intervistohet për një rast korrupsioni. Aty nuk thuhet si dëshmitar. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme, por më të butë se s’munden tashmë si me Hashim Rexhepin që e nxorrën me duar lidhur prej BQK-së. Unë guxoj t’ju them s’po vij, ta shohim tani a guxojnë ata të vijnë”, tha Kurti.

Kurti ka vendosur që të mos i përgjigjet kërkesës së Prokurorisë Speciale për t’u pyetur si dëshmitar.

Nga ana tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që “synon ta politizojë” drejtësinë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me këmbëngulësinë e kryeministrit Albin Kurti për të mos iu përgjigjur thirrjes së prokurorëve për të dëshmuar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, Isufaj tha se “ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë për zyrtarët e lartë shtetërorë”.

Postime të lidhura