zoom

Aktualitet

Kurti reagon ashpër për vrasjen e Liridonës: Autorët duhet të marrin dënim maksimal

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj. Në një postim në Facebook ai ka kërkuar dënim maksimal për autorët e këtij krimi makabër.

“Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bjeri mbi supet e grave e vajzave.
Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe të marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, ka shkruar Kurti ne rrjetin social Facebook.

Duke përkujtuar se dhimbja për këtë krim të tmerrshëm është e madhe, Kurti thotë se për të parandaluar ngjarje të tilla makabre duhet të angazhohen të gjithë.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegjja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për të parandaluar këto krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”, ka vijuar më tej shefi i ekzekutivit të Kosovës.

Kurti ka potencuar se qytetarët e Kosovës presin nga zyrtarët publikë që punojnë apo kanë punuar në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë që besojnë se ia dalin.