zoom

Art & Kulturë

Kurti pas dokumentarit: Rikardi i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike

Kryeministri, Albin Kurti, teksa mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit ‘’Rikard” në Kino Armata, në Prishtinë, dokumentar ky që ri-jetësoi aktorin Rikard Llarja, njërin nga aktorët më të mëdhenj shqiptar, foli për të.

“Çdo dokumentar i konceptuar për artistin, është dyfish i tillë. Dokument i krijimit të njërit me krijimin që e sjell tjetri. Sonte do të shohim dokumentarin e dy të mëdhenjve. Miq të artit e të mendimit’’, tha në krye të herës së fjalës së tij kryeministri Kurti, para shumë artistëve e të pranishmëve në Kino Armata.

Rikardi, sipas kryeministrit, i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike.

“Teksa fliste për aktorin e madh shqiptar, ai veçoi se kur arti bën punën e vet përtej kodeve dhe direktivave, nis e zë fill një betejë sa e heshtur aq edhe fatale mes dhuntisë së artit dhe dhunës së propagandës, sepse një talent si i Rikardit vendos teprinë e talentit mbi kufizimet e lirisë|, thuhet në njoftimin e e Qeverisë.

“Mos t’i harrojmë filmat si ‘Komisari i dritës’ dhe ‘Dueli i heshtur’. Sepse në këta filma, brenda propagandës lëvrin apo regëtin talenti specifik i fushës dramatike. Arti shqiptar kishte nevojë për zë e për portret. Arti kinematografik kishte nevojë edhe për figurat e veta emblematike. Rikard Ljarja, Ndrekë Luca, Dhimitër Furxhiu, Agim Qirjaqi, Jani Riza, Kadri Roshi, apo dhe Mevlan Shanaj, sot dhe këtu si regjisor, ia dhuruan karakteret kinemasë”, citohet të ketë thënë kryeministri.

E mes tisit të propagandës, në mënyrë alternative, shtoi ai, Rikardi i dhuronte skenës, sa herë që i jepej mundësia, edhe fjalimin e Mark Antonit nga Shekspiri. Në fund, kryeministri Kurti tha se nuk ka dyshim që do të donim ta shihnim këtë dokumentar këtu në Prishtinë bashkë me Rikardin, të dëgjonim zërin e tij tek kumbonte në sallë pasi të mbyllej ekrani. /ZOOM.AL/