Aplikacion
Teksa ishte parashikuar të mbahej sot, shtyhet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Kuvendi njoftoi edhe zyrtarisht si më poshtë, por pa dhënë sqarime të detajuara për shkaqet:
“Te nderuar anëtarë të Konferencës së Kryetarëve,
Ju njoftojmë se: Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve e njoftuar për sot shtyhet për një ditë tjetër. Konsultimet vijojnë”.
Në Konferencë është rënë dje dakord që PS dhe PD të ulen për të diskutuar mbi objektin e hetimit për kontratat koncesionare në Shëndetësi dhe për sistemin TIMS.
Përveç socialistëve, Elisa Spiropali, Ermonela Felaj, Bledi Çuçi, Klotilda Bushka, Kodheli, Pëllumbi, Bumçi dhe Naço, të pranishëm në mbledhje ishin dhe demokratë. Mes tyre, nënkryetarët e Rithemelimit, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj. Palët kanë bërë negociata, të cilat do të diskutohen në vijim.
Prej disa kohësh, krerët e grupeve parlamentare të PS-së, Çuçi dhe Bardhi nga opozita, kanë nisur negociatat për të kthyer jetën normale parlamentare.
Negociatat kanë nisur me ndërhyrjen e kryeparlamentares Lindita Nikolla, për shtensionimin e situatës. Opozita kërkon ngritjen e komisioneve hetimore dhe maxhoranca ka deklaruar se është e hapur që të plotësojë këto kërkesa. /ZOOM.AL/