zoom

In Zoom

Kur gazetaria bëhet baltë mes gjuhës denigruese dhe përdorimit të ekraneve për qëllime personale (dhe gjobëvënia si fenomen)

Përplasja mes Ylli Rakipit dhe moderatores së A2 CNN, A.A, ka nxjerrë në pah disa nga sëmundjet më të rënda të medias shqiptare: seksizmin, ksenofobinë, manipulimin e gazetarëve, standardet e dyfishta të atyre që pretendojnë të jenë “të pavarur”, gjuhën denigruese, hedhjen e baltës apo përdorimin e ekraneve për interesa personale.

Ky rast nuk është thjesht një debat i shëmtuar mes dy gazetarësh, por një shembull se si liria e medias keqpërdoret për qëllime personale dhe se si etika në gazetari është kthyer në një koncept të harruar.

Në emisionin e tij “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi e sulmoi gazetaren (pa ia përmendur emrin, por me një referencë të qartë) duke e quajtur “analfabete funksionale” dhe duke u marrë me jetën e saj personale. Ajo që bëri ai nuk ishte një kritikë profesionale, por një sulm personal i mbushur me gjuhë urrjetjeje, seksiste, ksenofobe dhe përçmuese.

“Përshtypjen më të madhe pastaj ma bëri një moment tjetër, ku një moderatore… moderatoret folëse në Shqipëri janë shumë, janë goxha, që nga folëse, kanë qenë folëse të rëndësishme, janë bërë moderatore. Është një moderatore, që edhe unë nuk dua ta bëj…, sepse është shumë e parëndësishme si njeri, është një… Unë dua ta prek në një pikë. Sapo ajo bëri një status, shumë njerëz m’u drejtuan dhe më thanë: mos se ajo është e sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, mos se është kështu, mos se e ka sjellë një miku ynë gazetar e të gjitha. Por unë nuk merrem me këtë, me liritë e njeriut dhe të drejtat. Unë merrem me të qenit analfabet funskonal të këtij njeriu. Hapa dhe pashë një njeri që u binte në qafë 20 gjuhëve njëkohësisht, deri edhe gjuhëve të vdekura, sankritishtesh e tjetër, e tjetër, e tjetër. E dija nga Skrapari, sepse ishte një mbiemër shumë i njohur, por qenka e ardhur… bile as kosovarisht nuk dinte, nuk dinte të fliste as gjuhën kosovare. Punon në një televizion që është edhe shqiptar, edhe me emër shqiptar edhe me emër… Nuk dua ta… Ju doni emrin. Nuk e them” – ishte deklarata e Ylli Rakipit.

Ylli Rakipi u mor me jetën personale të moderatores duke u fshehur pas mimikave, nëpërdhëmbjes së fjalëve dhe nënkuptimeve, pa patur guximin të flasë hapur për të mbrojtur veten e tij. Ai përçmoi gjuhën e saj, duke e quajtur shqipen “kosovarisht” apo “gjuhë kosovare”, e përçmoi atë profesionalisht e po ashtu edhe prejardhjen e saj.

Në çdo vend të botës, një gjuhë e tillë e një gazetari ndaj një vajze e gruaje, gazetare apo jo, do të kishte ngritur në këmbë shoqërinë dhe veçanërisht shoqatat që mbrojnë të drejta te grave. Në rastin e gazetares, shoqatat e gazetarëve do ta kishin dënuar dhe madje përjashtuar nga organizatat e tyre.

Por po aq shqetësues sa sulmi i tij ishte mënyra se si ai përdori gazetarët e tjerë në studio. Ata u gjendën të papërgatitur për këtë linjë debati, siç ndodh shpesh në emisionin e tij, ku gazetarët ftohen për një temë dhe përfundojnë duke u përdorur për qëllime të tjera.

Kjo është një taktikë e njohur ku gazetarët, edhe ata me integritet, nxiten të sulmojnë individë të caktuar “në emër të gazetarisë dhe të vërtetës” dhe më pas drejtuesit e emisioneve i përdorin këto sulme si kapital për të negociuar në prapaskenë me ata që sulmohen. Në fjalorin e përditshëm, këta drejtues quhen gjobëvënës. Dhe për Ylli Rakipin kjo nuk është diçka që s’e ka dëgjuar më parë. Edi Rama, një mik i dikurshëm i tij, i tha publikisht në mesin e një debati mes tyre, se “nuk i ha qoshja kurrë dhe hiç fare as për jashtënxjerrjet e ekspozuara e as për gjobat e paekspozuara të Ylli Kadriut”.

Ylli Rakipi mburret jo pak përballë kameras në studion e tij se ai është gazetar i lirë, se ka etikë e standarde. Por një shembull i qartë që ia rrëzon pidestalin ku kërkon ta vërë veten është fakti se nga kanali i tij në YouTube është fshirë një pjesë e një video të emisionit të tij ku diskutoheshin çështje që preknin Olsi Ramën dhe Shkëlzen Berishën. Nëse Rakipi pretendon se është një gazetar i guximshëm dhe i pakompromis, atëherë pse i fshin videot ku preken emra të caktuar? Ky veprim hedh dyshime të forta se ai nuk drejton një emision që ka për mision për të vërtetën, por një platformë që lëviz sipas interesave të momentit.

Përplasja mes Rakipit dhe moderatores A.A ka edhe anën tjetër po aq shqetësuese. Vetë moderatorja kishte bërë një status denigrues ndaj Rakipit për shkak se ai nuk e mbrojti gazetarin Enton Abilekaj kur i ftuari i tij, socialisti Halit Valteri e kërcënoi në studion e “Të paekspozuarit” duke i thënë “të kap me shpulla, të palloj në dru, ta tregoj kur të dalim jashtë”. Zoom.al pati një qëndrim kritik ndaj sjelljes së Ylli Rakipit, të cilin Rakipi u përpoq ta minimizonte duke gënjyer hapur sikur ai kishte ndërhyrë për ta qetësuar situatën, në një kohë që nuk bëri asgjë, pa guxuar të mbajë qëndrim.

 LEXO KËTU: Ylli Rakipi, shembulli i degradimit të debatit publik dhe heshtja e turpshme përballë kërcënimit të një gazetari në studion e tij

Moderatorja A.A, në një status të saj në rrjetet sociale e krahasoi emisionin e Rakipit me një “mejhanë ku pihet raki me gjizë dhe bëhet thashetheme”, duke dhënë një mesazh përçmues për të. Ajo e akuzoi se në emisionin e tij ai nuk ka për qëllim misionin e gazetarit, por ka axhenda të caktuara dhe ky është një fenomen për të cilin duhet folur sa më shumë. Por as gjuha denigruese nuk i shërben aspak luftës ndaj këtij fenomeni dhe nuk është mënyra e duhur për të luftuar standardet e ulëta në media.

“Studiot televizive, nuk e kane mision qe pasi marrin formen e mejhanes, ku pihet raki, maksimumi gjize dhe behet thashethmnaja e Tekes, po me zullumin qe kalon permasat e lagjes, cdo “i derguar apo i ardhur” merr legjitimitetin te behet i krahasueshem dhe relativizues vlerash. Sonte jam me Entonin si koleg, mik dhe per ate qe perfaqeson..Por njekohshem nuk jam me te, per shkak te karriges ku eshte ulur!! Panelet sic ndertohen edhe rrenohen..Kur nuk jane axhenda por misione te ndershme!” – shkruajti ajo në rrjetet sociale.

Ky lloj debati, ku palët përdorin fyerje për njëri – tjetrin nuk ndihmon aspak në përmirësimin e gazetarisë dhe standardeve të medias në Shqipëri. Përkundrazi, e shndërron median në një arenë përplasjesh personale, ku luftohet me baltë dhe përçmim, në vend që të ngrihet niveli i debatit publik.

Të paktën moderatorja A.A e shfaqi qëndrimin personal në rrjetet e saj sociale. Ndërsa Ylli Rakipi përdori një platformë publike, duke e bërë akoma më shqetësues përdorimin e medias për qëllime tërësisht personale.

Ky rast nxjerr në pah simptomat të një problemi më të thellë: gazetaria shqiptare është në krizë jo vetëm për shkak se gazetarët, moderatorët e spikerët po i largohen gjithnjë e më shumë etikës, por se një pjesë e tyre po i përdorin ekranet për interesa të pastra personale, influence e pasurimi.

Në këtë mes, gazetarët që pranojnë të jenë pjesë e paneleve si ato të Ylli Rakipit duhet ta dinë se rrezikojnë të përdoren si vegla për interesat e tij. Ata që duan të ruajnë integritetin profesional do të bënin mirë ta mendonin dy herë përpara se të pranonin të uleshin në një studio ku integriteti i tyre mund të vihet në lojë nga axhenda e dikujt tjetër.

Nëse duam një gazetari më profesionale dhe më etike, atëherë duhet të ndalojmë këtë kulturë manipulimi, arrogance dhe me standarde të dyfishta. Përndryshe, media do të vazhdojë të jetë një lojë interesash ku e vërteta ka gjithmonë vendin e fundit, sado që gazetarët e kompromentuar do të përpiqen të ndërrojnë lëkurën duke u fshehur pas logove të reja. /Zoom.al

Postime të lidhura