zoom

Aktualitet

Kundërshtari i Putin, shkak i “luftës” SHBA-Rusi në Tiranë

Alexei Navalny, i njohur tashmë si një nga rivalët më të mëdhenj të liderit rus, Vladimir Putin, duket se është kthyer në “mollë sherri” edhe mes dy ambasadave, asaj të SHBA dhe të Rusisë në Tiranë.

Ditën e djeshme Ambasada e SHBA, i është bashkuar thirrjes së Misionit të Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për të liruar nga burgu udhëheqësin e opozitës ruse Alexey Navalny.

Ambasada ka shpërndarë thirrjen e misionit të SHBA duke thënë se i bën thirrje qeverisë ruse të lirojë menjëherë Alexey Navalny, si dhe të gjithë ata që mbahen padrejtësisht.

Postimi i ambasadës amerikane

Një vit më parë, udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny u helmua në vendlindjen e tij me një agjent nervor kimik. Pas shërimit të tij në Gjermani, ai u tregua i guximshëm dhe u kthye në Rusi. Atje u arrestua menjëherë dhe tashmë ka kaluar më shumë se 200 ditë pas hekurave. Ne i bëjmë thirrje qeverisë ruse të lirojë menjëherë Alexey Navalny, si dhe të gjithë ata që mbahen padrejtësisht. Populli rus ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij në mënyrë paqësore pa pasur frikë nga çdo lloj ndëshkimi.

Ndërsa sot ka ardhur kundërpërgjigja nga Ambasada Ruse. Sipas kësaj të fundit, “Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti serioze politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë”.

Postimi i ambasadës ruse

Në lidhje me informacionin, e postuar në faqen “Facebook” të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë më datë 23 gusht të këtij viti, për blogerin rus Aleksej Navalni dhe thirrjen në adresë të qeverisë ruse për të liruar menjëherë të ashtuquajturin “luftëtarin e lirisë” nga burgu, do të donim të përcillnim për publikun shqiptar sa më poshtë.

Blogeri Aleksej Navalni nuk është aspak lider i opozitës, nuk përfaqëson asnjë parti serioze politike dhe nuk shërben si “pasqyrë” që reflekton aspiratat e popullit shumëkombësh të Rusisë. Dëshira e pangopur e A.Navalnit për të shëtitur gjyqeve, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, quhet hapur prej tij formë përfitimi, rrogë. Dhënja e vendimeve politike nga Gjykata në favor të tij është bërë si me konvejer.

Kujtojmë se më datë 30 dhjetor 2014 Gjykata Zamoskvoretski në Moskë, pasi shqyrtoi çështjen “Yves Rocher”, i shpalli vëllezërit Navalni fajtorë për mashtrim – krim i dënueshëm penalisht dhe dënoi me kusht Aleksej Navalnin për 3,5 vjet, ndërsa dënoi me 3,5 vjet burgim në koloni të regjimit të përgjithshëm vëllain e tij, Oleg Navalnin. Në janar të vitit 2021, pas kthimit nga Gjermania në Rusi, shtetasi rus A.Navalni u arrestua nga policia “për shkelje të shumta të afatit të provës” për të njëjtën çështje – “Yves Rocher”. Më datë 2 shkurt 2021 Gjykata Simonovski në Moskë ktheu dënimin me kusht në burgim (aktualisht ai shlyen dënimin në koloninë Pokrovskaja, rrethi i Vladimirit). Siç thuhet, «dura lex sed lex» …

Vendet e Perëndimit, përfshirë SHBA-të, vazhdojnë t’i japin A.Navalnit një mbështetje të pamatur para së gjithash për të lëkundur dhe ndërlikuar situatën e brendshme politike në Rusi. Në vrullin e fushatës së nisur prej tyre, gënjeshtra të hapura po përdoren kundër autoriteteve ruse, përfshirë provokimin e organizuar nga shërbimet speciale perëndimore lidhur me helmimin e supozuar të Navalnit me lëndën e ashtuquajtur “Noviçok”. E gjithë kjo është për të ardhur keq dhe duket e pashpresë, dëshmon për paaftësinë e tyre për të hequr dorë nga harbutëria arrogante dhe mosdëshira për të pranuar realitetin, duke e ditur që më parë se është e kotë të ushtrosh presion mbi Rusinë, pasi përgjigja e saj, si gjithmonë, do të jetë e rreptë, por adekuate.