Aplikacion
Në fakt të dyja këto biznese janë të lidhura me njëra tjetrën sepse sa herë që në Tiranë përfundon një kullë, brenda saj mbin një kazino. Rasti më i fundit është në kullën hotel ngjitur me 15 katëshin e famshëm të Tiranës.
Edhe pse Hotel Intercontinental nuk ka përfunduar ende së ndërtuari e aq më tepër të hapet, kati i parë i tij ka filluar të gëlojë nga kumari. International Casino Tirana ka çelur zyrtarisht dyert në katin e parë të hotelit të ri, duke u bërë kështu kazinoja e 7-të që hapet në kryeqytetin e Shqipërisë.
“International Casino Tirana ndodhet brenda Hotel Intercontinental Tirana dhe do të jetë destinacioni i fundit luksoz i argëtimit në zemër të Tiranës, me një zonë lojrash që shtrihet mbi 1200 m2 me një kapacitet prej 1500 + persona,” thuhet në prezantimin zyrtar të kazinosë.
Me hapjen e International Casino Tirana, kryeqyteti shqiptar bëhet kështu një nga qytetet me densitetin më të lartë të qendrave të kumarit në botë, ku brenda një distance më të vogël se 1 kilometër mund të gjesh plot 6 kazino. Ndërkohë gjasat janë që kjo shifër të rritet edhe më shumë, pasi janë lajmëruar sakaq planet për hapje të tjera kazinosh, ku më e afërta duket ajo tek kulla pas Sahatit të Tiranës.
International Casino Tirana
0Ceremonia zyrtare e hapjes së kazinosë më të re në kryeqytetin shqiptar u mbajt në 19 prill. Por në të luhet bixhoz prej gati një muajsh tashmë.
International Casino Tirana është liçencuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit në datën 23 mars të këtij viti. Mbajtësja e liçencës dhe pronarja e kazinosë është kompania Infinity Investiments.
Kjo është kazinoja e katërt që Infinity Invesments hap në Tiranë. Infininity Investments është një kompani, aksionet e të cilave zotërohen nga dy shoqëri. Ato janë WSI me 60 për qind të aksioneve dhe W-CZ Holdings s.r.o me 40 për qindëshin tjetër.
Shoqëria e parë zotërohet nga Bledar Sinani, i cili më parë ka qenë një nga aksionerët kryesor të Apexit. Ndërsa shoqëria e dytë zotërohet nga shtetas austriak i quajtur Johannes Weissengruber.
Bledar Sinani është lojtari dominant i tregut të kazinove në Tiranë duke përbërë ndoshta dhe një rast të rrallë në Europë, ku një kompani zotëron 4 kazino në qendrën e një kryeqyteti.