zoom

Sport

“Kukës Arena” hap dyert me derbi, Duka: vepër madhështore

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se ndihet shumë i lumtur që “Kukës Arena” do të hapi sot dyert për ndeshjen e verilindorëve ndaj Laçit.

Një stadium modern që i bashkohet infrastrukturës në rritje në futbollin shqiptar në këto vite të fundit.

“Stadiumi i ri i Kukësit hap dyert sot! Të dashur miq, mbrëmjen e sotme përmbyllim një tjetër investim strategjik për futbollin shqiptar. Kukës Arena, një investim i Federatës së Futbollit në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare inagurohet sot në mbrëmje me ndeshjen e Abissnet Superiore, Kukësi-Laçi.

Ndihem shumë i lumtur teksa shikoj që vit pas viti në realitetin tonë futbollistik po shtojmë vepra të tilla që na afrojmë giithmonë e më shumë te standartet e larta që kemi vendosur. Ta gëzoj futbolli shqiptar dhe qyteti i Kukësit me tifozët e tij të mrekullueshëm”, shkruan Duka.

“Kukës Arena” është tashmë një realitet dhe një impiant ndër më modernët në Shqipëri, pasi ofron kushte dinjitoze për ekipet, tifozët dhe mediat me hapësira të bollshme dhe të mëdha për të gjitha nevojat që ka një ndeshje futbolli edhe e nivelit ndërkombëtar. Punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme janë të përfunduara. Impianti, që ka një kapacitet prej 6200 vendesh, siç e kërkojnë procedurat i është nënshtruar dhe testeve të fundit për fushën dhe ndriçimin, që kanë rezultuar pozitive.


Tashmë Kukësi do të kthehet të luajë në fushën e vet pas dy sezoneve, ndërsa futbollit shqiptar i shtohet një tjetër stadium modern, që plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe është në gjendje të presë ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare, në nivel klubesh dhe kombëtaresh. Përveç stadiumit, qyteti i Kukësit do të ketë në të ardhmen edhe disa fusha të tjetra, që do të ndërtohen me kontributin e FSHF-së dhe Bashkisë se Kukësit.

Madje punimet për njërën nga fushat, që do të jetë aneksi stërvitor i klubit të Kukësit, kanë nisur prej kohësh dhe kanë avancuar teksa parashikohet që të përfundojë brenda një kohë të shkurtër, teksa po diskutohet projekti për ndërtimin edhe të fushave të tjera. Një investim madhor për qytetin e Kukësit që pritet t’i japë një shtysë të madhe zhvillimit të futbollit në këtë zonë, duke rritur ndjeshëm interesin e të rinjve për t’u bërë pjesë e lojës më të dashur në Shqipëri, futbollit. /zoom.al/