zoom

Bota

Ku po shkojnë paratë e USAID? Zëdhënësja e Trump: 47.000 dollarë për një operë për tr*nsgjinorët

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kritikoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar mes përpjekjeve të administratës Trump dhe Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë të udhëhequr nga Elon Musk për të mbyllur agjencinë.

Gjatë një konference për shtyp jashtë Shtëpisë së Bardhë të hënën, Leavitt deklaroi se USAID dështoi në përmbushjen e detyrave të tij.

Leavitt mbështeti planin e Musk dhe Trump për të eliminuar USAID-in dhe renditi disa nga programet e kota që agjencia drejton.

“Nëse i hidhni një sy abuzimeve që janë bërë në USAID gjatë disa viteve të fundit, këto janë disa nga prioritetet e çmendura për të cilat ajo organizatë ka shpenzuar para”, tha ajo.

27-vjeçarja theksoi disa nga këto shpenzime janë “1.5 milion dollarë për të avancuar DEI (Diversitetin, Barazinë dhe Përfshirjen) në vendet e punës në Serbi, 70.000 dollarë për prodhimin e një muzikal të DEI në Irlandë, 47.000 dollarë për një operë për transgjinorët në Kolumbi dhe 32.000 dollarë për një libër komik transgjinor në Peru.”

Më pas shtoi se: “Unë nuk e di për ju, por si një taksapaguese amerikane, nuk dua që dollarët e mi të shkojnë drejt kësaj katrahure. Dhe e di që as populli amerikan nuk e do këtë, dhe kjo është pikërisht ajo që Elon Musk është ngarkuar nga Presidenti Trump për të bërë”.

Kritikat e ashpra të Karoline Leavitt vijnë pasi DOGE ndaloi punonjësit e USAID-it të hynin në zyrë të hënën, ndërsa ata kryenin një rishikim të programeve dhe shpenzimeve të agjencisë.

Dy zyrtarë të lartë të sigurisë u pushuan pasi penguan personelin e DOGE që të aksesonte dosjet dhe informacionet e klasifikuara. USAID është një agjenci federale e pavarur me një buxhet vjetor prej 50 miliardë dollarësh.

Postime të lidhura