Aplikacion
“Kvennafrí”, ose dita e pushimit të grave, është kërkuar në shenjë proteste ndaj hendekut gjinor të pagave dhe dhunës me bazë gjinore.
Fushat në të cilat gratë përbëjnë shumicën e punëtorëve, si shëndetësia dhe arsimi, janë veçanërisht të prekura.
Protesta e planifikuar shënon grevën e parë të grave që nga viti 1975.
Grave iu është kërkuar të refuzojnë punën e paguar dhe të papaguar të martën, përfshirë edhe punët e shtëpisë.
Disa kophte dhe shkolla fillore janë mbyllur, ndërsa disa të tjera që mbeten të hapura ofrojnë shërbime të reduktuara. Disa muze, biblioteka të qytetit dhe kopshte zoologjike janë gjithashtu të prekura.
“Unë nuk do të punoj këtë ditë, pasi pres që të gjitha gratë [në kabinet] të veprojnë njësoj gjithashtu”, tha kryeministrja e Islandës, Jakobsdóttir për uebsajtin mbl.is përpara protestës.
Jakobsdóttir deklaroi se qeveria e saj po shqyrton se si vlerësohen profesionet e dominuara nga femrat, në krahasim me fushat e dominuara tradicionalisht nga burrat.
Sipas Unionit të Mësuesve Islandeze, gratë përbëjnë shumicën e mësuesve në çdo nivel të sistemit arsimor, duke përfshirë 94% të mësuesve të kopshteve.
Rreth 80% e punëtorëve në Spitalin Universitar Kombëtar të Islandës, më i madhi në vend, janë gra.
Duke folur për BBC Newshour, organizatorja e grevës Kristin Astgeirsdottir tha se dhuna ndaj grave mbetet një problem në Islandë pavarësisht niveleve të larta të barazisë gjinore.
“Teoria ishte se sa më shumë barazi gjinore, aq më pak dhunë. Kjo për fat të keq nuk duket të jetë kështu,” tha ajo, duke shtuar: “Dhuna ndaj grave është e rrënjosur thellë në kulturën tonë.”
Islanda është renditur si vendi më i mirë në botë për barazinë gjinore nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për 14 vjet me radhë. Por vendi nuk është plotësisht i barabartë, me WEF që i cakton atij një rezultat të përgjithshëm prej 91.2%.
Rreth 90% e fuqisë punëtore të Islandës hyri në grevë në vitin 1975, duke nënvizuar rëndësinë e grave për ekonominë. Greva bëri që parlamenti i vendit të miratonte një ligj pagash të barabarta vitin e ardhshëm.