zoom

Politikë

Kryeministri u kërkoi të rinjve të investojnë në tokat e babait, por çfarë mundësish u ofron?

Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Kamëz u bëri thirrje të rinjve që të mos harxhojnë 10 mijë paund për të ikur me gomone në Angli, por këto para t’i investojnë në tokat e prindërve.

Ai theksoi se çdo i ri shqiptar nëse do të përkushtohej më shumë në punë, do të fitonte më shumë para se në Angli.

Por, tendenca e shqiptarëve për t’u larguar drejt Britanisë së Madhe, i ka rrënjët në Shqipëri.

Varfëria, mungesa e kushteve minimale të jetesës i detyron të rinjtë të shkojnë drejt një vendi tjetër.

E meqë jemi këtu, Kukësi është një prej qyteteve që po përballet me largimin e banorëve të saj, ku shkollat janë bosh, pasi adoleshentët kanë tendencën të shkojnë drejt Britanisë në mënyrë të jashtëligjshme.

Kostoja për të kaluar në mënyrë të paligjshme në Britani mund të arrijë deri në 30.000 paund.

Të rinjtë shqiptarë që bëjnë udhëtimin për në Britaninë e Madhe mund të përfundojnë në borxhe ndaj bandave të cilat më pas i detyrojnë të shpërndajnë kokainë ose të punojnë në fabrikat e kanabisit.

Më shumë se 38,000 emigrantë kanë mbërritur në Britani me varka të vogla përgjatë Kanalit deri më tani këtë vit. Rreth 12,000 raportohen si shqiptarë krahasuar me një total prej 800 vitin e kaluar dhe 50 në 2020.

Kryeministri Rama, ndërsa bën këtë deklaratë për të bindur të rinjtë shqiptarë që po largohen masivisht nga Shqipëria, ku edhe shumë qytete tashmë janë kthyer në fantazma për shkak të emigrimit harron se të rinjtë që largohen nuk i kanë 10 mijë paund për largimin e tyre nga vendi. Por mënyra që ata gjejnë për t’i siguruar këto para është duke punuar jashtë në mënyrë të paligjshme, ku shumë prej tyre bien pre e bandave, grupeve kriminale dhe e kontrabandistëve që i detyrojnë të punojnë për të shlyer pagesën e rrugës nga Shqipëria në Britani.

Edhe nëse të rinjtë do të kishin një shumë të tillë parash, vështirë se do të mund të investonin në një vend ku çdo ditë e më shumë fermerët shqiptarë që kanë investuar kursimet dhe jetën e tyre për të zhvilluar tokat që kanë trashëgimi thonë që do të lënë gjithçka e do të largohen, pasi nuk gjejnë mbështeteje nga shteti, treg nuk gjejnë për prodhimet e tyre, ndërsa çmimet për të blerë produktet që i duhen për tokën janë rritur.

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për të dëgjuar e lexuar fjalën e fermerëve nga e gjithë Shqipëria që ndjehen të pashpresë për të investuar më tej në vendin e tyre.

titull lajmi

titull lajmi

Ilir Pilku, ekspert i politikave bujqësore në një intervistë për Top Chanel do të shprehej se emigracioni i lartë dhe pagat e ulëta në bujqësi janë faktorët kryesorë që po çojnë në uljen e krahut të punës.

Nuk ka incentiva dhe qëndrueshmëri në sektorin bujqësor, kjo është një nga arsyet që individët në zonat rurale ndihen më të sigurt duke shkuar në emigracion qoftë edhe me punësime sezonale. Marzhet e fitimit të bujqësisë në prodhimin primar nuk janë kaq të larta sa ne të jemi konkurrues në paga në raport me vendet fqinje.”

Pra, rrënjët e vërteta të problemit janë në Shqipëri. Shumë prej të rinjve shqiptarë ndjehen se nuk kanë një të ardhme në Shqipëri, pagat janë të ulëta, ndërsa kosto e jetesës po bëhet gjithmonë e më e lartë. Shumë prej tyre e kanë të pamundur të gjejnë punë, nuk mund të përballojnë as arsimin apo kujdesin shëndetësor.

E ndërsa eksodi i të rinjve shqiptarë që largohen nga Shqipëria po rritet dita-ditës dhe vendi po shpopullohet, Kryeministri Rama nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë. Vetëm pak ditë më parë, ai sulmoi qeverinë britanike se Britania po përdor emigrantët shqiptarë për të justifikuar politikën e tyre të dështuar, teksa akuzoi sekretaren e Brendshme Braverman se po ushqente ksenofobinë, duke larguar kështu çdo përgjegjësi nga vetja dhe qeveria e tij.

“Është fjala për “koka turku” dhe hedhjen e fajit tek të tjerët. Problemi është tek politikat e dështuara, jo tek shqiptarët, alienët apo gangsterët, por tek politikat e dështuara për kufijtë dhe kundër krimit”u shpreh ai. 

Në një gjendje të tillë, ku shteti nuk i siguron këtyre të rinjve asgjë, ku të gjitha shpresat u janë vrarë, ku në kryeqytet korrupsioni i bllokon rrugën drejt suksesit të rinjve të diplomuar, duket hipokrizi t’u kërkosh të investojnë në një vend apo në një fushë që tashmë ka falimentuar.

Postime të lidhura