zoom

Bota

Kryeministri sllovak Fico ende në gjendje të rëndë, mjekët duan ta lëvizin në spital tjetër

Kryeministri sllovak, Robert Fico, në rrezik për jetën pas atentatit të së mërkurës, mund të transportohet drejt një spitali në kryeqytet për të vijuar kurimin e tij, pasi situata sipas specialistëve të shëndetësisë cilësohet kritike.

Fico mbetet në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme, dhe arrin të flasë pak, tha të enjten presidenti i zgjedhur Peter Pelegrini, raporton REUTERS.

Mediet publikuan se do të mblidhet një këshill mjekësor për të vlerësuar gjendjen e kryeministrit dhe do të vendosë a duhet të lëvizet nga qyteti qendror i Banska-Bistricës drejt Bratislavës. Atentati ndaj Ficos ishte i pari ndaj një lideri europian prej më shumë se 20 vitesh.

Sipas kryeministrit hungarez, Viktor Orban, 59-vjeçari Fico ndodhet “midis jetës dhe vdekjes” dhe sikur ta rimarrë veten do i duhen muaj për t’u rikthyer në punë, teksa e gjithë zona euro bëhet gati për zgjedhjen e Parlamentit Europian muajin e ardhshëm.

Policia ka akuzuar 71-vjeçarin Juraj Cintula për ngjarjen, ish-rojën e sigurisë të një qendër tregtare, si edhe autor i tre librave me poezi. Si arsye për atentatin, Cintula ka listuar politikat e qeverisë ndaj Ukrainës, planet e saj për të reformuar radiotelevizionin publik dhe shkrirjen e zyrës së prokurorit special, i cili heton raste të nivelit të korrupsionit. /ZOOM.AL/