zoom

Aktualitet

Kryebashkiaku socialist i Libohovës paraqitet në SPAK

Kryebashkiaku socialist i Libohovës, Leonard Hida, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Hida mbërriti i vetëm në ambientet e SPAK mëngjesin e sotëm, ndërsa është marrë i pandehur pasi akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Kreu i Bashkisë Libohovë dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

“Nisur nga të dhënat që disponohen nga shërbimet si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në njësitë administrative ‘Cepo’ dhe ‘Picar’ krijojnë dyshime të arsyeshme se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie të cilët kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”, thuhet në dosjen hetimore.

Operacioni i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Prokurorinë e Gjirokastrës, nisi datën 1 shtator 2021 ku dolën zbuluar plantacione me kanabis.

Përfshirja e kryebashkiakut socialist në këtë çështje të jashtëligjshme doli në pah pas hetimeve intensive dhe transkriptimeve nga Prokuroria e Gjirokastrës, e cila nisi edhe procedim penal.