zoom

Ekonomi

Kriza valutore e Turqisë përkeqësohet pasi Banka Qendrore ul përsëri normat

Nga Caitlin Ostroff

Banka Qendrore e Turqisë u përkul para presionit politik për të ulur normat e interesit, duke sfiduar inflacionin në rritje dhe duke thelluar një krizë valutore që ka goditur ekonominë.

Banka Qendrore uli normën e saj bazë në 14% nga 15% të enjten, uljen e saj të katërt radhazi që nga shtatori.

Uljet e mëparshme të normave të kërkuara nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kanë shkaktuar një kolaps të lirës turke. Monedha ka humbur 40% të vlerës së saj ndaj dollarit që nga shtatori, duke e bërë atë një nga investimet me performancën më të keqe në botë.

Lira ra me 3.6% të tjera të enjten, duke kaluar 15 lira për një dollar për herë të parë. Kriza ka bërë dhjetëra miliona turq më të varfër, duke ndezur protesta dhe duke gërryer mbështetjen popullore për zotin Erdogan.

Investitorët dhe banorët turq kanë shitur lirën në ditët e fundit duke pritur që banka qendrore të ulë sërish normat kur të publikojë një deklaratë të politikës monetare në orën 6 të mëngjesit ET. Në një seri uljesh të interesit në muajt e fundit, banka ka ulur normën bazë të repove një javore në 15% nga 19% në fillim të shtatorit.

Erdogan kundërshton normat më të larta të interesit, duke besuar se ato nxisin inflacionin, e kundërta e asaj që kanë përjetuar ekonomitë në mbarë botën gjatë historisë. Në fillim të kësaj jave, Ministri i ri i Financave i vendit i tha një organizate turke të lajmeve se banka qendrore nuk do të rriste normat e interesit dhe shprehu mbështetje për qasjen joortodokse të presidentit.

Ekonomistët dhe investitorët presin që një ulje e mëtejshme e normave të interesit do të shkaktojë një tjetër rënie të monedhës. Zvogëlimi i fuqisë blerëse të turqve mund të çojë përfundimisht në një ngadalësim të ekonomisë, apo edhe një recesion, thonë ekonomistët.

“Tregu ka shkuar përtej dhënies së sinjaleve. Fjalë për fjalë është duke i bërtitur qeverisë që të mos e bëjë më këtë”, tha Selim Sazak, një studiues në Universitetin Bilkent të Ankarasë, i cili këshillon një parti opozitare turke.

Lira e dobësuar po nxit inflacionin, duke rritur koston e importit të mallrave të nevojshme si ilaçet, disa artikuj ushqimorë dhe gaz natyror, të cilat janë të shprehura në dollarë dhe euro.

Të dhënat zyrtare për muajin nëntor treguan se inflacioni në Turqi arriti në 21.3% nga një vit më parë, megjithëse analistët vlerësojnë se ka të ngjarë të jetë më i lartë.

Në vitet e fundit, Turqia ka ulur në mënyrë të përsëritur normat e interesit si një mjet për të nxitur rritjen, vetëm për të përfunduar në rritje të fortë të normave kur inflacioni bëhet shumë i lartë. Investitorët e huaj shqetësohen se kriza aktuale e monedhës mund të zgjatet dhe askush brenda rrethit të brendshëm të zotit Erdogan të mos rekomandojë rritje të normës. Z. Erdogan ka shkarkuar një sërë shefash të bankave qendrore dhe zyrtarë të tjerë të lartë që e penguan atë.

“Është shumë e vështirë të imagjinohet një kthesë në situatën aktuale, e cila është e ndryshme nga episodet e mëparshme,” tha Kieran Curtis, një menaxher i fondeve të tregjeve në zhvillim në “Aberdeen Standard Investments”.

“Zakonisht ka qenë dikush që argumenton se normat e interesit duhej të rriteshin deri në momentin kur arritëm në këtë nivel të intensitetit të dobësisë së lirës.”

Deri të hënën, Banka Qendrore e Turqisë ka ndërhyrë në treg, duke shitur rezerva valutore dhe duke blerë lira, në një përpjekje për të mbështetur monedhën e saj për shkak të asaj që ajo e konsideron si “formime jo të shëndetshme të çmimeve në kurset e këmbimit”.

Ndërhyrja ka shqetësuar investitorët, të cilët vlerësojnë se Banka Qendrore e Turqisë ka më shumë detyrime në valutë sesa aktive, duke i dhënë asaj pak fuqi për ta përballuar lira. Haluk Burumcekci, një ekonomist me qendër në Stamboll, vlerëson se pozicioni i monedhës së huaj të bankës qendrore ka rënë me 5.5 miliardë dollarë neto këtë muaj, gjatë të cilit ajo punoi për të stabilizuar lirën.

Kompanitë dhe bankat turke mbajnë borxhe të konsiderueshme në valutë të huaj, të cilat bëhen më të vështira për t’u shlyer ndërsa lira bie. “S&P Global Ratings” e zhvendosi perspektivën e saj për Turqinë në negative nga e qëndrueshme javën e kaluar. Agjencia e vlerësimit vuri në dukje se uljet e fundit të normave të interesit dhe zhvlerësimi i lirës ka të ngjarë të nxisin më tej inflacionin./ The Wall Street Journal

Përgatiti për Zoom.al/ Armand Kullau