Aplikacion
Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT në vitin 2023 në të gjithë vendin kishte 263 mijë gjedhë me rënie vjetore 11.5%
Ndërsa numri i të imtave shënoi rënie me 11.7 për qind. Me rënie 16% ishte edhe numri i derrave. Teksa me rritje ishin vetëm shpendët dhe kosheret me nga 2,6 dhe 8.2% secila.
Sipas të dhënave numri i gjedhëve në vitin 2023, është 263.385 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga lopët e qumështit me rreth 88,24% ndaj numrit gjithsej të krerëve.
Në vitin 2023, numri i të leshtave është 1.206.206 krerë. Kategoria kryesore e të leshtave përbëhet nga delet e qumështit me rreth 83,43% ndaj numrit gjithsej të tufës. Numri i të dhirtave në vitin 2023, është 640.242 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dhitë e qumështit me 79,96% ndaj numrit gjithsej të krerëve.
Në vitin 2023, numri i krerëve të derrave është 114.833 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dosat me 9,18% ndaj numrit gjithsej të krerëve.
Në vitin 2023, numri i krerëve të derrave është 114.833 krerë. Kategoria kryesore përfaqësohet nga dosat me 9,18% ndaj numrit gjithsej të krerëve.
Qarqet më përfaqësues lidhur me mbarështimin e gjedhit për vitin 2023, janë Fieri me 14,76% dhe Korça me 11,76% ndaj numrit gjithsej të gjedhëve. Përqendrimi më i madh i numrit të të leshtave është në qarkun e Vlorës me 28,52% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 14,84% ndaj numrit gjithsej të krerëve.
Përqendrimi më madh i numrit të të dhirtave është në qarkun e Vlorës me 28,11% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 15,31% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Përqendrimi më madh i numrit të derrave është në qarkun Lezhë me 48,09% dhe në qarkun Shkodër me 21,61% ndaj numrit gjithsej krerëve.
Rënia e popullsisë në fshat dhe mungesa e produktivitet të fermave prej heqjes së skemave të subvencionit po çon numrin e bagëtive në rënie.
Qumështi, prodhimi rënie me 7%
Prodhimi i qumështit në vitin 2023, është 901 mijë tonë ose 7.1% më i ulët se më 2022. Struktura e prodhimit të qumështit është: qumësht lope 84,99%, qumësht dhie 7,85% dhe qumësht dele me 7,16%
Në 2023, prodhimi i qumështit nga lopët është 765.347 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit në nivel vendi është 3.157 kg për krerë. Prodhimi qumështit nga delet për vitin 2023, është 64.492 tonë. Rendimenti mesatar vjetor, në nivel vendi i qumështit të deles është 64 kg për krerë.
Prodhimi qumështit nga dhitë në 2023, është 70.730 tonë. Rendimenti mesatar vjetor i qumështit nga dhitë në nivel vendi është rreth 130 kg për krerë. Prodhimi i mishit peshë e gjallë është 135 mijë tonë, ndërsa prodhimi i vezëve për vitin 2023 është 894 milionë kokrra. Nga ana tjetër prodhimi i mjaltit për vitin 2023 është 5.633 tonë.
Statistikat e blegtorisë për vitin 2023, mbështeten në informacionin administrativ, të mbledhur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i statistikave blegtorisë dhe prodhimeve blegtorale mbështeten në Programin e Statistikave Zyrtare, duke zbatuar klasifikimet dhe përkufizimet sipas rregulloreve përkatëse të BE-së.
Informacioni mblidhet në terren nga specialistët e ekstensionit në të gjithë vendin. Këta specialistë mbledhin të dhëna drejtpërdrejt nga fermerët. Të dhënat blegtorale grumbullohen për numrin e kafshëve që mbarështojnë fermerët si dhe prodhimet blegtorale./ Monitor