zoom

Aktualitet

Krimi që tronditi Gjermaninë/ Avokati: Rinori e qëlloi Arminin për vetëmbrojtje

Dalin në dritë të tjera detaje nga krimi që tronditi Gjermaninë. Dy shqiptarë nga Kosova u konfliktuan në një semafor në qendër të Hanoverit në Gjermani.

Më pas nisi përplasja. Burimet thonë se u dëgjua vetëm një krismë. Viktimë mbeti 30-vjeçari Armin Neziri (NE FOTO). Autori i krimit është një tjetër kosovar i quajtur Rinor Z. Ky i fundit është vetëdorëzuar në polici një ditë më parë.

Sipas gazetës BILD, ekziston mundësia që Rinori të ketë qëlluar për vetëmbrojtje.

Rinori, një sipërmarrës ndërtimi në Gjermani, ka heshtur përpara policisë. Por avokati i tij tha se ai ishte i detyruar që të qëllonte pasi nuk kishte rrugë tjetër. Avokati po ashtu ka thënë se nuk do të ketë gjakmarrje apo hakmarrje për këtë rast.

Prokuroria e Hanoverit nuk ka dhënë shumë detaje për ngjarjen e rëndë.

“Mosmarrëveshja u përshkallëzua në atë pikë sa të paktën një e shtënë u bë nga vetura Mercedes-Benz. Pak kohë më pas, vetura Porsche shpejtoi, e kaloi udhëkryqin dhe goditi një shenjë trafiku në anën e kundërt të rrugës. Personi 30-vjeçar në Porsche doli nga vetura dhe ra në tokë. Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë nga shërbimi i shpëtimit, burri vdiq në vendin e ngjarjes,” tha prokuroria.

Armini ishte një emër i njohur për policinë pasi kishte vrarë një person në vitin 2017 pas një sherri për një femër. Atëherë u tha se ai veproi për vetëmbrojtje. Ndërkohë Armini ishte i njohur për lidhjet e tij me yjet e ekranit.