zoom

Aktualitet

Krimi, droga e korrupsioni nuk ndalen, shikoni me çfarë merret Policia

Policia ka shpërndarë sot një njoftim për arrestimin e një shtetaseje turke. Njoftimi i bujshëm ka të bëjë me një grua që dyshohet për prostitucion.

Ja çfarë thuhet në njoftim:

”Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme kanë kapur dhe vënë në pranga, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, shtetasen G. Ç., 40 vjeçe, banuese në Turqi. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja G. Ç., në bashkëpunim me shtetasen A. H. (e arrestuar), rekrutonin shtetase të huaja, nga Turqia dhe nga Azerbajxhani, dhe më pas i shfrytëzonin për prostitucion, duke përdorur një faqe online.”

Policia bën herë pas here të tilla njoftime, por prostitucioni gëlon në të katër anët e vendit, veçanërisht në Tiranë e Durrës.

Ky fenomen po përhapet me shpejtësi dhe shumë shtete në Europë e kanë rregulluar me ligj. Në Shqipëri, policia duket se e konsideron prostitucionin si krimin më të rrezikshëm për shoqërinë, teksa droga, pastrimi i parave, kriminaliteti e korrupsioni po shënojnë po ashtu rekorde historike.

Sot nga policia priteshin lajme për autorin dhe motivin e vrasjes së ndodhur në Zall Mnerr, në Tiranë, ku një 48 -vjeçar, i identifikuar si L. Visha u ekzekutua në një atentat në makinën e tij.

Por policia merret me një prostitutë turke dhe e shet si arritje arrestimin e saj.

Nga ana tjetër, trafikantët e drogës, sipas ekspertëve, po i forcojnë lidhjet dhe po i pastrojnë paratë kryesisht në ndërtim, ku po ashtu dyshohet se pastrohen paratë e korrupsionit.

Ndërsa kriminaliteti po njeh një dimension të ri me vrasje mafioze edhe nëpër makina në ecje në autostrada, si në Italinë e mafias siçiliane./ Zoom.al

Postime të lidhura