Aplikacion
Kallëzimi është bërë për një tender me vlerë 19.3 milionë euro në vitin 2019, ku fillimisht ka qenë Qato që ka sulmuar publikisht kompaninë “Gjoka Konstruksion” se kishte përdorur të dhëna të rreme gjatë aplikimit për një tender me fond limit 19.3 milionë euro. Më pas, Rrok Gjoka akuzoi Qaton se kishte manipuluar procedurat e tenderit duke favorizuar një prej bashkimeve të operatorëve konkurrues, që kishte një ofertë rreth 4 milionë euro më të lartë.
“Gjoka Konstruksion” depozitoi dhe një kallëzim penal në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, që pas shkrirjes së këtij institucioni hetimet u vijuan nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Kjo situatë solli edhe dorëheqjen e Qatos në shtator të 2019-ës. Pas rreth tre vjet e gjysmë hetimesh, SPK ka çuar për gjykim si të pandehur Sonila Qaton dhe 9 vartës të saj për akuzat e “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera” dhe “falsifikim të dokumenteve”, shkruan BIRN.
SPAK e akuzon Qaton dhe vartësit e saj për shtyrjen e afateve të tenderit për favorizimin e një bashkimi operatorësh të përbërë nga kompanitë Ircop S.p.a. & Sulova Ndërtim Prodhim & Vega & A&E Engineering, të cilët kishin dorëzuar ofertë me vlerë më të lartë financiare dhe skualifikimin e të gjithë operatorëve të tjerë.
Sipas SPAK, pas bashkimit të operatorëve të shpallur fitues qëndron në hije kompania e ndërtimit “Vëllezërit Hysa”, e cila në atë periudhë po ndiqej penalisht për abuzime me kontratën e ndërtimit të rrugës së Elbasan-Gjinar.
Gjithashtu, sipas SPAK, autoriteti kontraktor ka iniciuar një hetim administrativ për zbatimin e kontratës koncesionare të rrugës së Arbrit, duke prodhuar të dhëna të rreme për të argumentuar skualifkimin e saj nga tenderi. Madje, ARRSH-ja nuk i është bindur vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik që e ka cilësuar të padrejtë skualifikimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.