Aplikacion
Këto kërkesa janë pranuar nga grupe nismëtarësh, të cilët kanë iniciuar procedurën për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, raporton EO. Elezi ka treguar para mediave përmbajtjen e kërkesave të cilat i janë drejtuar KQZ-së.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga Kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviç, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre Kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit iniciues se a janë votues të komunave përkatëse. Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, njoftoi Elezi.
Më tej, ai tregoi se KQZ është duke i trajtuar këto kërkesa dhe brenda afatit do t’u kthejnë përgjigje.
“Mund t’iu konfirmoj se këto kërkesa janë duke u trajtuar dhe brenda afatit 5 ditor do të përgjigjemi. Për këto përgjigje, do të bashkëpunojmë edhe me Agjencinë për Regjistrimin Civil pasi lista votuese buron nga ekstrakti i Regjistrit Qendror Civil”, tha Elezi. /ZOOM.AL/