zoom

Aktualitet

Kostot e qytetarëve për gjyqe do rriten, Kushtetuesja lë në fuqi Hartën e re të Gjyqësorit!

Harta e re gjyqësore, që shkaktoi polemika dhe kundërshti për shkak të vështirësive sociale dhe ekonomike që krijonte te qytetarët dhe avokatët, do të mbetet në fuqi.

Gjykata Kushtetuese sapo e ka rrëzuar ankimimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që pretendonte të paktën rishikimin dhe lënien e disa gjykatave më tepër në qarqe.

Harta e re gjyqësore u miratua më 21 korrik të vitit të shkuar, ku veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend, duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë.

Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnjë për Jugun.

Pas debateve u pranua të lihej vetëm një gjykatë më tepër nga projekti fillestar, ajo e Sarandës. Në total janë 16 në total: 13 Gjykata Rrethesh, 2 Administrative dhe një Apeli. /ZOOM.AL/