zoom

Kosova

Kosova zgjedh! Voton Albin Kurti: Zëri juaj duhet të dëgjohet

Që prej orës 07:00 të mëngjesit, mbi 940 qendra votimi janë të hapura në Kosovë për zgjedhjet parlamentare.

Në garë për të marrë votën e rreth 2 milionë votuesve janë 28 subjekte politike. 20 prej këtyre subjekteve u takojnë pakicave kombëtare, 10 prej të cilave janë të komunitetit serb.

Në Mitrovicën e Veriut, në orët e para të votimit është vënë re një interes i lartë i shtetasve serbë që jetojnë në këtë komunë për të ushtruar të drejtën e votës.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00.

Votojnë liderët

Në kërkim të një mandati të dytë në krye të qeverisë, kryeministri Albin Kurti votoi së bashku me gruan e tij në Prishtinë.

Ai ftoi qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës, me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet.

“Ditë me diell në dimër! Në këtë mot me diell, në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare. I falenderoj qytetarët që kanë votuar deri në këto çaste. Inkurajoj këdo që të ushtrojë të drejtën demokratike, për ta bërë zërin të dëgjohet“, tha Kurti.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryeministër votoi në orën 09:30 në Mitrovicën e Jugut.

“I lus të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike, për të zgjedhur qeverinë për katër vitet e ardhshme. Sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua, çdo rezultat që votojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, është i pranueshëm. Jam optimist, ka qenë një fushatë e gjatë”, tha Hamza.

Postime të lidhura