zoom

Ekonomi

Kosova fiton terren në tregtinë me Shqipërinë! Rriti eksportet dhe duke ulur importet nga vendi ynë

Ana tjetër e kombit, Kosova, vitin e kaluar ka zgjeruar avantazhin tregtar në Shqipëri duke rritur eksportet dhe duke ulur importet nga vendi ynë.

Të dhënat nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme tregojnë se në vitin 2024, eksportet shqiptare në Kosovë pësuan rënie me 9.8%, ndërsa importet nga Kosova në Shqipëri shënuan rritje me 33.5% në vitin 2024 në krahasim me vitin 2023.

Mallrat shqiptare të eksportuara në Kosovë shënuan 36,8 miliardë lekë në vitin 2024, me rënie 9.8%. Ndërsa importet nga Kosova në të njëjtin vit shënuan 15.7 miliardë lekë, me rritje 33.55% në krahasim me vitin 2023.

Gjithsesi Shqipëria është në suficit në tregtinë me Kosovën, por vlera e tij shënoi rënie gjatë vitit të kaluar. Suficiti tregtar me Kosovën shënoi 21.1 miliardë lekë në vitin 2024, nga 29 miliardë lekë që ishte në vitin 2023, me rënie 27%.

Pavarësisht se tregtia e Kosovës me Shqipërinë u përmirësua në favor të Kosovës vitin e kaluar, deficiti tregtar i Kosovës u thellua më tej me 17.5%. Eksportet e Kosovës mbulojnë vetëm 11% të importeve.

Rritja e importeve nga Kosova u dominua nga mallrat e kompanisë Devolli në Shqipëri me birrën “Peja”, prodhimet “Vita” dhe me tapicerinë e shtëpisë nëpërmjet “Comodita Home”.

Nga eksportet tona në Kosovë tkurrjen më të madhe e pati hekuri me rreth 25% për shkak të rënies së prodhimit në kompaninë Kurum në Shqipëri. Eksporti i zarzavateve shënoi rënie me vlerë me rreth 22%, si rrjedhojë e rënies së çmimeve dhe rënies së euros, e cila i ka vënë në vështirësi eksportet e Shqipërisë këtë vit.

Tregtia me Kosovën është shumëfishuar në dekadën e fundit. Gjatë vitit 2023, volumi tregtar u 5-fishua në krahasim me vitin 2008, kur u shpall pavarësia. Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nisi pas përfundimit të luftës në vitin 2000.

Në rreth dy dekada tregti shihet se përfituesja më e madhe është Shqipëria, e cila eksporton më shumë se sa importon mallra në Kosovë. Në vitin 2023, vlera e mallrave që Shqipëria eksportoi në Kosovë ishte dy herë më e lartë se vlera e mallrave që importoi.

Eksportet shqiptare në Kosovë dominohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, lëkurët dhe prodhimet e tyre dhe ushqimet, ndërsa importet nga Kosova përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, të cilat zënë gati 50% të importeve, ushqimet dhe produktet kimike dhe plastike.

Kosova dhe Shqipëria, dy shtete të të njëjtit komb, nuk i kanë shfrytëzuar potencialet e burimeve natyrore dhe popullsinë e re në moshë për të rritur përfitimet ekonomike.

Ekonomitë tona bazohen në një model që nuk gjeneron punësim me vlerë të lartë dhe nuk kanë mundur të integrohen në zinxhirët e industrisë si Serbia dhe Maqedonia e Veriut./Monitor