zoom

Bota

Koreja e Jugut shfaq raketën që mund të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë të Veriut

Koreja e Jugut ka shfaqur raketën e saj më të fuqishme balistike dhe disa armë të tjera që synojnë Korenë e Veriut. Këto armë u shfaqën në ceremoninë e organizuar në Ditën e Forcave të Armatosura më 1 tetor, teksa presidenti jugkorean paralajmëroi regjimin e Veriut se do të shkatërrojë nëse tenton të përdorë armë bërthamore.

 

Shfaqja e armëve të reja dhe paralajmërimi ndaj Koresë së Veriut erdhi pasi rivali verior i Seulit së fundi ka rritur armiqësitë rajonale, duke zbuluar një ndërtesë për pasurimin e uraniumit dhe ka testuar raketa para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale amerikane në nëntor.

“Nëse Koreja e Veriut tenton të përdorë armë bërthamore do të përballet me një përgjigje të fuqishme nga ushtria jonë dhe nga aleanca mes Koresë së Jugut dhe SHBA-së”, tha presidenti Yoon Suk Yeol para mijëra trupave që u mblodhën në një aeroport ushtarak pranë Seulit. “Ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të Koresë së Veriut”.

“Regjimi i Koresë së Veriut duhet të heqë dorë nga iluzioni se armët bërthamore do t’i mbrojnë”, tha Yoon.

Gjatë ceremonisë, ushtria e Koresë së Jugut shfaqi rreth 340 pajisje ushtarake dhe sisteme armësh. Në mesin e tyre ishte edhe raketa më e fuqishme balistike e saj, Hyunmoo-5, e cila sipas vëzhguesve është e aftë të mbajë një koke konvencionale bërthamore prej rreth 8 tonësh, dhe mund të depërtojë thellë në tokë dhe të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë në Korenë e Veriut. Kjo është hera e parë që Koreja e Jugut ka shfaqur këtë raketë.

SHBA-ja fluturoi bombarduesit B-1B gjatë ceremonisë, që me gjasë është demonstrim i angazhimit të saj të sigurisë për aleaten aziatike. Koreja e Jugut po ashtu fluturoi disa nga avionët e saj më të avancuar luftarakë.

Që kur ka marrë detyrën më 2022, Yoon, politikan konservator, ka lidhur një aleancë më të fortë ushtarake me SHBA-në dhe ka përmirësuar raportet trepalëshe Seul-Uashington-Tokio sa i përket bashkëpunimit të sigurisë, që është në qendër të politikës të tij të sigurisë për t’u përballur me programin e avancuar bërthamor të Koresë së Veriut.

Viteve të fundit, Koreja e Veriut ka kryer testime provokuese të raketave dhe ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore në konfliktet e mundshme me Korenë e Jugut dhe SHBA-në.

Muajin e kaluar, shqetësimet për programin e bombave të Koresë së Veriut u rritën edhe më shumë, pasi Pheniani publikoi fotografi të një ndërtese sekrete për pasurimin e uraniumit për armë bërthamore. Kjo ishte hera e parë që Veriu publikoi pamje të ndërtesës së saj për pasurimin e uraniumit, pasi kishte publikuar pamje të kompleksit të saj kryesor bërthamor në Jongbon më 2010./REL