zoom

Politikë

“Kontrabandë oksigjeni”! Bombolat e pacertifikuara për personat me Covid-19, reagon Meta: Kriminale

Presidenti Ilir Meta e quan shumë të rrezikshme dhe “kriminale”, faktin që shumë persona të infektuar me koronavirus, në nevojë kritike për oksigjen po i drejtohen tregut të parregulluar për pajisje mjekësore dhe bombula – çmimet e së cilave kanë shkuar në qiell me rritjen e infektimeve, sipas një raporti të publikuar në BIRN. Ndërkohë edhe ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e përdorimit të pajisjeve të pacertifikuara pa asistencë mjekësore.

“Është kriminale të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut”, shkruan Meta.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit kërkon që “të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik” dhe që përgjegjësit sipas tij të shkojnë para ligjit.

POSTIMI I PLOTE

Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme. Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen.

Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të çertifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital. Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës anticovid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjeno-terapi të të sëmurëve.

Është e rrezikëshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut. Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik.

Përgjegjësit para ligjit!