zoom

Ekonomi

Konkurrenca mbyll hetimim për grosistët e gazit. Çfarë u kërkohet koncesionarëve në portet e Durrësit dhe Vlorës

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur procedurën e hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të GLN, duke mos konstatuar shenja të kufizimit të konkurrencës nga ana e ndërmarrjeve nën hetim. Hetimi nisi në tetor të vitit të kaluar, pas konstatimeve të një hetimi paraprak, gjatë të cilit nuk u gjetën evidenca direkte për të vërtetuar ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar midis ndërmarrjeve. Ndërkaq, pjesë e hetimit të thelluar ishin 3 kompanitë koncesionare që operojnë në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të GLN-së, Romano Port SHA, Porti MBM dhe Petrolifera Italo Albanese.

Sipas AK-së, në bazë të kontratave koncesionare ndërmarrja PIA SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së në portin Vlora-1, Romano Port SHA aktualisht zotëron pozitë dominuese për kapacitetin deri në 15.000 tonë në tregun e ngarkim-shkarkimit të GLN-së në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës, ndërsa Porti MBM zotëron pozitë dominuese për kapacitetin mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 metra në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë GLN në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës. Po ashtu, pjesë e hetimit ishin edhe ndërmarrjet e integruara vertikalisht me koncensionarët.

Ndërkaq, referuar vendimit 3 kompanitë, nuk duhet të abuzojnë me këtë pozitë, teksa detyrohen të mos vendosin, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmime të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushte të tjera të padrejta të tregtimit, si dhe të mos zbatojnë kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët. / Ola Mitre – SCAN