zoom

In Zoom

Konflikti Veliaj-Balluku ndan mediat pro-Qeveritare: Luftë për pushtet në Partinë Socialiste?

Konflikti i brendshëm mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku duket se ka përçarë edhe mediat pro-qeveritare, duke nxjerrë në pah një garë të heshtur për influencë dhe pushtet brenda Partisë Socialiste.

Dy nga mediat online më të njohura pro-qeveritare, Shqiptarja.com e Carlo Bollinos dhe Gazeta Tema e Mero Bazes, kanë nisur sulme të ashpra ndaj projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, duke fajësuar Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, sa për punët e papërfunduara ende aq edhe për trafikun në Tiranë, të cilit, sipas tyre, kjo vepër nuk i dha zgjidhje.

Këto sulme po shihen gjerësisht më shumë si një përpjekje për të mbështetur Veliajn, për të shpërqendruar vëmendjen nga hetimet e SPAK ndaj tij dhe për të ngarkuar me përgjegjësi “rivalen e tij për pushtet në PS, Ballukun”, sa si shqetësime se një projekt i madh infrastrukturor si Unaza e Madhe nuk po i jep zgjidhje trafikut të rënduar.

Fakti që të dyja këto media njihen për mbështetjen e hapur ndaj Veliajt e forcon këtë perceptim.

Ndërsa konflikti me Ballukun intensifikohet, Veliaj përballet me një situatë të ndërlikuar ligjore. Ai po hetohet nga SPAK për akuza serioze, përfshirë korrupsion pasiv dhe aktiv, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.

Hetimet, të cilat lidhen kryesisht me tendera dhe projekte të Bashkisë së Tiranës, kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij politike. Megjithatë, qëndrimet publike të mediave si Shqiptarja.com dhe Gazeta Tema sugjeron se ai ende ka mbështetje të fuqishme në disa rrethe mediatike dhe politike, por nga ana tjetër ato janë edhe pasqyrë e “hallit të madh” që ka zënë kryetarin e Bashkisë.

Belinda Balluku, e cila ka forcuar pozitat e saj si zëvendëskryeministre, shihet aktualisht si një prej njerëzve më të besuar të Kryeministrit Edi Rama. Ajo ka marrë një rol kyç në qeveri dhe po konsiderohet si një zë i fortë brenda Partisë Socialiste.

Rritja e saj politike duket se ka shqetësuar Veliajn, i cili deri vonë shihej si pasardhësi potencial i Ramës në drejtimin e PS-së. Kjo përplasje e heshtur për lidershipin brenda partisë mund të jetë një nga shkaqet kryesore të tensioneve midis tyre.

Një luftë për trashëgiminë politike të Ramës?
Në sfondin e këtyre zhvillimeve, konflikti mes Veliajt dhe Ballukut duket se është më shumë se një përplasje për një projekt të veçantë. Ai pasqyron një luftë më të gjerë për influencë dhe për të zënë vendin e parë në radhët e Partisë Socialiste pasi Edi Rama të jetë lodhur nga pushteti apo nga një rrëzim i mundëshëm i tij.

Mbështetja publike që mediat pro-qeveritare po i ofrojnë Veliajt, në një kohë kur Balluku po forcon pozitat e saj, sugjeron një ndarje brenda strukturave politike dhe mediatike që mbështesin qeverinë.

Konflikti mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, i reflektuar edhe në mediat pro-qeveritare, nxjerr në pah dinamika të brendshme komplekse brenda Partisë Socialiste. Ndërsa Veliaj lufton për të ruajtur pozitën e tij në një kohë kur përballet me hetime serioze nga SPAK, Balluku duket se po përfiton nga besimi i Ramës për të konsoliduar fuqinë e saj.
Kjo betejë e heshtur mund të ketë ndikim të madh në balancat e pushtetit brenda PS-së dhe në të ardhmen politike të kësaj force. Por fati i këtij konflikti duket se do të varet nga vendimet e SPAK. Një kërkesë e mundshme për masë sigurie ndaj Veliajt do të ndryshonte gjithçka. /Zoom.al

Postime të lidhura