zoom

Politikë

Komisioni e thirri sot në seancë dëgjimore, Meta: Kam axhendë të planifikuar

Presidenti Ilir Meta refuzon të jetë i pranishëm në mbledhjen e komisonit parlamentar të Ligjeve për t’u mbrojtur mbi nismën e ndërmarrë nga socialistët për shkarkimin nga posti i presidentit.

Me anë të një letre të bërë publike, Meta jep arsyet se e ka agjendën e tij të zënë dhe se për këtë ai është i gatshëm të jetë prezent në datën 10 Maj. Kjo ishte si një përgjigje e dërguar nga Meta pas kërkesës zyrtare të paraqitur nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit. Në funksion të transparencës, dhe nëse dëshironi ta ndiqni, pasi do të bëhet publike, Presidenti i Republikës, pikërisht sot ditë e enjte, datë 6 maj 2021, do të presë në takime, për bisedime e takime zyrtare, protokollare, personalitete të larta të huaja, si: Ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë znj. Karoline Edtstadler; dhe Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor”, thuhet në letrën e drejtuar nga Presidenca te Komisioni parlamentar i Ligjeve.