Aplikacion
Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë reaguar pas veprimeve hetimore për vdekjen e të riut, i cili humbi jetën pasi u shoqërua nga punonjës policie të Komisariatit Nr.3 Tiranë gjatë një kontrolli rutinë.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se e këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.
Ngjarja e rëndë u komentua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në studio ishte avokati i njohur, Kujtim Cakrani, i cili bëri akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit.
I pyetur nëse familja ka të drejtë të shohë trupin e pajetë të 32-vjeçarit, Cakrani u shpreh:
“Hetimet thonë se janë pamje të rënda, por ta përballosh është tjetër gjë. Vendos familja nëse do ta shoh apo jo, është problem i imi se si e përballoj. Në autopsi nuk lejohen të jenë familjarët, por aty duhet të jenë që të shohin të gjitha ndërhyrjet”.
Më pas avokati i njohur u shpreh se ai nuk i beson Policisë së Shtetit pasi në çdo rast ka manipuluar provat.
“Më duket lajmi se ka pasur lëndë narkotitke në bark, si armët që janë futur dikur në kishat e Shkodrës. Nuk kemi asnjë informacion tjetër, përveçse atyre të Policisë së Shtetit. Kjo e fundit është e involvuar, është palë, nuk mund t’i besojmë.
Tani dëgjoj se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po merret me hetimet, është e tmerrshme. Duhet të merret Prokuroria.
Kemi edhe dy viktima të tjera së fundmi të ndodhura në komisariate. Në Gjirokastër u rrah barbarisht një person, kur shkoi në fshat vdiq. Kam rast tjetër në Lushnjë, Fadil Hoxha, vdiq nga gardiani.
Komisariatet e policisë janë kthyer si kampet e Hitlerit. E them dhe mbaj përgjegjësi penale. Kjo është policia që manipulon provat. Pse duhet ta besoj?”, tha avokati Cakrani.