zoom

Aktualitet

Kokainë në kutitë e picave! Prangosen 5 persona në Tiranë, shpërndanin drogë me motor

5 të arrestuar dhe një person i shpallur në kërkim, ky është bilanci i operacionit “Xhamlliku” që u zhvillua ditën e djeshme në zonën e njohur si “Varri i Bamit”. Policia e Shtetit ka publikuar sërish sot një njoftim të ri lidhur me operacionin duke përmendur se kanë sekuestruar 1 kilogram e 128 gramë kokainë, 3 makina dhe 7 telefona, por nuk përmendin asgjë për para “cash”, të cilat u raportuan fillimisht.

I gjithë operacioni nisi pas disa informacioneve të marra se disa persona e kishin kthyer zonën e “Xhamllikut” në tregun e tyre të kokainës, kështu që një efektiv i forcave speciale të RENEA-s u kamuflua si konsumues dhe porositi një “picë”. Ky ishte kodi që fundosi shpërndarësit, duke vendosur në pranga: 28-vjeçarin Altin Gega; Erjon Pregën, 32 vjeç; Gentian Kore, 47 vjeç dhe Taulant Çoku, 34 vjeç.

Të gjithë akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Ndërsa në kërkim është shpallur E(E) gjithashtu i njohur me identitetin e dytë P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Sipërmarrësi Kore, u kishte siguruar të arrestuarve kamuflimin perfekt për shitjen e lëndës narkotike, ndërsa 26-vjeçari Gazmir Cani u ndalua për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, pasi ishte drejtuesi i mjetit që u largua me gaz nga vendi i ngjarjes duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Njoftimi i policisë Tiranë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Xhamlliku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë. Sekuestrohen 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular. Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër shtetas. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.