zoom

Aktualitet

Kokaina në Portin e Durrësit/ Arrestohet administratori dhe doganieri i kompanisë

Pas kapjes së 45.5 kg kokainë në konteinerin me mish pule në Portin e Durrësit mbrëmjen e kaluar, blutë e Durrësit kanë vënë në pranga dy persona. Policia ka arrestuar Arben Ferizin, 30 vjeç banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil si dhe Egert Vargun, 39 vjeç banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Në kuadër të operacionit policor antidrogë i koduar “Tranziti’ mbrëmjen e datës 15 qershor 2022, policia sekuestroi 45.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kokainë në një kontenier në Portin e Durrësit.

Droga u gjet në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Pas kontrollit të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Pakot ishin të mbështejlla me personazhe të filmave vizatimore si ‘Goku’ dhe ‘Buda’.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Droga mendohet se kishte dy porositës, kjo për shkak se edhe pakot ishin të ndara, me imazhe të ndryshme, por që si personazh kryesor kishin protagonistin e filmit të animuar “Goku” dhe “Budën”. Secila pako peshonte nga 800-1400 gramë.

Kjo është sasia e dytë e cila është kapur brenda një kohe të shkurtër, brenda pak javësh në Portin e Durrësit. Vetëm pak javë më parë, u kap një tjetër sasi kokaine në një anije me qymyr e cila vinte nga Kolumbia.

Related Posts