zoom

Aktualitet

Kofindustria e shqetësuar: Qytetarëve u vidhet 5-8% e naftës, benzinës dhe gazit

Teksa çmimi i naftës, benzinës dhe gazit vijon të jetë i lartë, Konfindustria shpreh shqetësimin për problematikat me abuzimet në volumet e shitjes së karburanteve për bizneset dhe qytetarët.

Në reagim thonë se për naftën dhe benzinën arrin grabitja në volume deri në 5%, ndërsa sasia e shitjes së gazit të lëngshëm grabitet deri në 8%. Për këtë arsye theksojnë se situata është shqetësuese pasi të gjitha këto rëndojnë në xhepin e qytetarëve që e blejnë karburantin me çmime të larta.
Sipas vlerësimeve të tërthorta krahasuese me vendet fqinje llogaritet, se për naftën dhe benzinën grabitja në volume mund të arrijnë në jo më pak se 5% dhe për gazin e lëngshëm jo më pak se 8% të sasisë së shitjes”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

Ndër të tjera shtojnë se shërbimi i kontrollit të metrologjisë së pikave të karburantit është dhënë me koncesion të tipit PPP, duke e bërë tërësisht të paqartë sesi mund të kontrollohen ligjërisht abuzimet në rastin në fjalë.

“Shqetësimet kanë ardhur në shtim sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022, që i përket edhe rritjes së fortë të çmimit të karburanteve. Duke patur parasysh se tregu i karburanteve në Shqipëri qarkullon të paktën 1,5 miliard $, kosto e bizneseve dhe qytetarëve shtohet në dhjetëra milion euro/vit. Gjithashtu, pasoja të rënda i shkaktohen buxhetit të shtetit, duke ditur se 60% e çmimit të karburanteve janë taksa dhe tatime”, shton Konfindustria.

Aktualisht çmimi i naftës tregtohet me 258 lekë/litri. Ndërsa gazi ka shkuar në 83 lekë/litri. Sakaq, çmimi i benzinës shitet me 239 lekë/litri./zoom.al/