zoom

Aktualitet

Klubet e privilegjuara në bregdet, përse policia i lejon të bëjnë zhurmë

“Nuk është e mundur që të bashkëjetojnë brenda një sezoni edhe jeta e natës edhe muzika, me paqen edhe qetësinë. Kjo mund të ndodh vetëm nëse respektohen të tilla rregulla.”

Kështu do të deklaronte përpara shkallëve të kryeministrisë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në prill të vitit 2023 kur qeveria miratoi VKM për ndalimin e muzikës pas orës 23:00 në qendrat e banuara.

“Normat e muzikës deri tani nuk kanë qenë të kontrolluara në përputhje me parametrat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.Ne kemi pasur urdhëresa dhe akte nënligjore, por nuk ka qenë e qartë se kush i kontrollonte. Ligji i sotëm i ndërmarrë me vendim qeverie e rregullon këtë” – vijoi ajo më tej.

Por po të udhëtosh sot për në plazhet e jugut kupton që deklaratat e ministres kanë qenë një gënjeshtër e madhe. Lokalet që zhurmojë gjatë gjithë natës, jo duke “bashkëjetuar” por duke e shkatërruar paqen dhe qetësinë e pushuesve.

Zoom.al ka raportuar shqetësimet e pushuesve në plazhin e Dhërmiut se një klub nate i quajtur “Mojo” zhurmon me muzikë në kupë të qiellit gjithë zonën e këtij plazhi, duke prekur pushuesit e hoteleve apo të zonave rezidenciale që janë ngjitur me këtë lokal.

Sipas raportimeve, ky klub është në pronësi të disa personave me lidhje me qeveritarët. Madje vetë kryeministri Rama e ka frekuentuar atë disa herë.

Në plazhin e Jalit, në redaksinë tonë kanë ardhur denoncime për “Folie Marine”, një lokal problematik në të gjitha sezonet, po në pronësi të një “biznesmeni” me lidhje të afërta me kryeministrin Rama.

Policia e Shtetit po bën sehir përballë kësaj situate. Ajo po e zbaton Vendimin e Këshillit të Ministrave në mënyrë selektive. Lokaleve që nuk kanë lidhje me qeveritarët apo me drejtuesit e policisë në rreth ose në qendër, patrullat u shkojnë fiks në orën 13:00 para derës së biznesit dhe u kërkojnë të mbyllin muzikën.
Por duke lënë hapur bizneset e tjera si ato që përmendëm më sipër, policia jo vetëm po shkel ligjin, por po dëmton edhe konkurrencën dhe vetë turizmin.

Sipas denoncimeve të ardhura në redaksinë e Zoom.al ka dyshime se drejtues të policisë marrin pagesa periodike nga klubet që lejohen të bëjnë muzikë pas mesnate. Denoncime të tillë do të duhet të vërtetohen nga organet e drejtësisë, si prokuroria, e cila ka rastin më të mirë për të nisur hetimet, pasi shkelja e ligjit në këtë rast është e konstatueshme me shumë lehtësi.

Në këtë skemë të favorizimit të disa klubeve është bërë pjesë edhe pushteti vendor.

“Bashkitë do të kenë detyrimin të përcaktojnë cilat janë ato zona brenda territorit të tyre administrativ. Mund të zhvillohen aktivitete biznesi me muzikë edhe përtej orës 00:00, por që duhet të jenë larg zonave ku banohet, flihet, pushohet përtej mesnatës” – deklaronte ministrja Kumbaro ditën e miratimit të VKM.

Bashkia e Himarës dyshohet se ka dhënë leje për klubet e mësipërme në kundështim me ligjin, pasi asnjëri prej tyre nukë shtë larg zonave ku “banohet, flihet apo pushohet”.

Prokuroria do të duhet t’i hetojë edhe pushtetarët vendorë që kanë firmosur këto leje, që janë hapur në kundështim me ligjin.

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla do të duhet t’u kërkojë llogari drejtuesve të policisë e po ashtu edhe organeve të pushtetit vendor, se ëerse këta pronarë lokalësh janë kthyer në të paprekshëm dhe te privilegjuarit e jugut, teksa qindra beach bare e klube të tjera nate në bregdet mbyllen sapo ora shkon 11 e natës.

Lënia hapur e këtyre lolakeve, që zhurmojnë gjithë natën, pasi bëjnë muzikë në ambiente të hapura dhe jo të mbyllura, nuk i shërben aspak turizmit, por në të kundërt e dëmton atë, pasi shqetëson turistët e huaj e pushuesit shqiptarë, të cilët vijojnë t’i bien papushim numrit të telefonit të policisë, por pa marrë përgjigje.

Zoom.al ka raportuar se si funksionojnë klubet e natës në plazhet më të njohura të botës. Autoritetet atje kanë vendosur që lokalet që duan të bëjnë muzikë, duhet të jenë në ambiente të mbyllura, ndërsa në diskok apo klubet e hapura, muzika nuk lejohet pas orës 23:00. /Zoom.al