zoom

Aktualitet

KLP zgjedh kryetarin e ri, Mirela Bogdani kandidatja e vetme. Seiti: Duhet të kishte konkurrencë!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë po zhvillon një mbledhje urgjente, ku do të diskutohet në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri të KLP, vend i mbetur vakant pash shkarkimit të ish-kryetarit Alfred Balla me votim të vetë anëtarëve pas vendimit të KPA-së së Vettingut, që e përjashtoi për 15 vite nga sistemi.

Kandidate e vetme për postin është Mirela Bogdani, e vetmja që ka prezantuar platformën e saj. Anëtarja e KLP, Nurihan Seiti, është shprehur se e vlerëson figurën e Bogdanit, por do të dëshironte që në garë të kishte konkurrencë.

“Jemi njohur me një kërkesë për mbledhje urgjente për funksionimin më të mirë të KLP duhet të zgjidhet kryetari i ri. Këshilli duhet të jetë funksional, nuk është hera e parë që kalohet një periudhë kohore ku mbaroi mandati i zotit Ibrahimi dhe zoti Balla mbajti posti e zëvendësit, derisa u shpalosën të gjithë platformat. Më duket se do të ketë një pikëpyetje për këtë mbledhje të Këshillit. E vlerësoj Bogdanin, por do të doja që të kishte konkurrencë”, tha ajo.

Kandidatja e vetme për kryetare të KLP-së Mirela Bogdani ka prezantuar programin e saj, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë kreun pas mbarimit të mandatit të Alfred Ballës. Mirela Bogdani tha se nëse do jetë kryetare e KLP-së do të bashkëpunojë me ndërkombëtarët dhe do të bashkërendojë me institucionet e tjera me drejtësinë.

Mirela Bogdani u shpreh:

“Për mua është tepër e rëndësishme puna me partnerët ndërkombëtarë, që kanë insistuar punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kanë vijuar mbështetjen. Do të vijoj punën me të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë. Do të punoj për rregullimin e infrastrukturës të zyrave të KLP. Një fokus tjetër do të jetë bashkëpunimi me KLGJ, bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe me shkollën e magjistraturës.

Synoj të reformoj sistemin gjyqësor. Dëshiroj të përmbush të gjitha kushtet që ka vendosiur BE, me qëllim që drejtësia në vend të bëjë përpara. Synoj të rris edhe nivelin e kapaciteteve njerëzore, ku do të merren parasysh kriteret e meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe t’i jap rëndësi statusit të nëpunësit civil. Një pikë tjetër është edhe etika, që të ketë jetësim tjetër standardi”. /ZOOM.AL/