zoom

Slider

“Klasikja e titullit”, Reali kërkon shkëputjen përballë Barçës së rilindur

Real Madrid dhe Barcelona luajnë të dielën në klasiken e dytë të këtij sezoni, por që vlen shumë për skuadrën që do të jetë në fund kampione e La Liga-s.

“Los Blancos” vijnë në një formë të jashtëzakonshme në kampionat, ku kanë zgjatur distancën me vendin e dytë që mbahet nga Sevilla në 10 pikë pas fitores në Mallorca, ndërsa në anën tjetër Barcelona e ka gjetur rrugën e duhur në rikthimin drejt rezultateve pozitive duke shkuar në  11 ndeshje pa njohur humbje në të gjitha kompeticionet, duke i bashkuar dhe suksesin e fundit në Europa League përballë Galatasarayt.

Kjo përballlje pritet me shumë interes për historinë që kanë të dyja skuadrat në klasike, të cilat pavarësisht renditjes në të cilat janë pozicionuar në kampionat ndër vite nuk kanë dështuar të provojnë se janë një kockë e fortë kur bëhet fjalë për duelin më të rëndësishëm të kampionatit spanjoll dhe jo vetëm.

Qëllimi kryesor i katalanasve mbetet ndalja e hapit të kundërshtarit që vijon të krijojë shkëputje, kur kanë mbetur dhe 10 javë nga përfundimi i sezonit. E vështirë, por jo e pamundur për trajnerin Xavi, i cili beson tek suksesi ndaj rivalit të përjetshëm.

Mungesat.

Një lajm i keq në prag të klasikes është mungesa e futbollistëve, të cilët do të humbasin ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për shkak të dëmtimit.

Karim Benzema nuk do të jetë pjesë e listës së të grumbulluarve të trajnerit Ancelotti, i cili duhet të bëjë pa goleadorin e ndeshjeve të mëdha. Sulmuesi francez është paraqitur në formë të shkëlqyer këtë sezon me fanellën e bardhë. Fitorja në Santiago Bernabeu përballë Paris Saint German mban firmën e Benzemas, i cili shënoi një tripletë fantastike duke eleminuar klubin e sheikëve nga Champions League.

Njoftimin për mungesën e tij e ka bërë vetë faqja zyrtare e Realit, ku thuhet se sulmuesi ka pësuar një dëmtim dhe duhet të rikuperohet për ndeshjet pasardhëse. Përveç Benzemas, Ferland Mendy do të jetë gjithashtu një mungesë e rëndësishme për Carlo Ancelottin në prag të sfidës me Barcelonën

Në anën tjetër, tek Barcelona vihet re mungesa e mbrojtësit të djathtë, Sergino Dest, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit përballë Galatasarayt në Europa League. Hollandezi pritet të mungojë 3 javë pas ekzaminimeve mjekësore që tregon një shkallë të lartë të dëmtimit, ndaj lojtari i duhet të pushojë të paktën deri në fundin e muajit prill.

Xavi kërkon të kthejë reston ndaj Ancelottit.

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, mbërriti në Barcelonë me objektivin për të ringritur skuadrës pas rezultateve negative nën udhëheqjen e Ronald Koeman dhe mund të themi me bindje se ia ka dalë të ndërtojë një grup të mirë, me një përzierje mes futbollistëve me eksperiencë dhe futbollistëve të akademisë.

Spanjolli ka një detyrë të rëndësishme në këtë përballje që të vazhdojë ecurinë pozitive prej 11 ndeshjesh pa humbje, por gjithashtu të hakmerret për humbjen e Superkupës së Spanjës, ku katalanasit dhuruan një shfaqje të kënaqshme.

Epërsia e madrilenëve në historikun e ndeshjeve.

Real Madrid është skuadra që ka fituar më shumë El Classico-n në histori me 99-të të tilla, kundrejt 96-të të katalanasve dhe 52 të tjera kanë mbetur në barazim. Një statistikë që tregon për dominimin e galaktikëve në të gjithë historinë e klasikeve. Ndaj, skuadra e trajnerit Ancelotti do të kërkojë të vazhdojë këtë ecuri fantastike duke thelluar akoma më shumë diferencën e fitoreve mes dy prej skuadrave më të mira të botës.

/zoom.al