zoom

Aktualitet

Kinematografia shqiptare në zi, shuhet “Mjeshtri i Madh” Vladimir Prifti në moshën 81- vjeçare

Kinematografia shqiptare ka humbur një nga regjisorët e saj më të shquar, “Mjeshtrin e Madh” Vladimir Prifti. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas si trashëgimi fëmijët dhe veprat e tij artistike.

Artisti i merituar, Prifti, njihet për filmat si “Udha e shkronjave”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Kush vdes në këmbë”, “Era e ngrohtë e thellësive” apo “Dasma e Sakos”.

Lajmin e trishtë e ka bërë me dije kolegu i tij, regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj, përmes një postim në rrjetet sociale.

“Lamtumirë VLADIMIR PRIFTI!

Sapo më lajmëruan për ikjen e regjisorit të filmave: Udha e shkronjave, Dhe vjen një ditë, Flutura në kabinën time, Kush vdes në këmbë, Era e ngrohtë e thellësive etj! Sot ekranit shqiptar i ka ikur , regjisori i shquar , njeriu me humor dhe me pasion për artin! Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi! E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do mbetet i përjetshëm për mes veprës tënde!” njoftoi kolegu i tij, regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj.

Ngushëllime ka shprehur edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, në një shënim në rrjetet social.

‘Sot kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh! Regjisori i filmave të paharrueshëm “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë”, “Flutura në kabinën time” e shumë të tjerëve, Vladimir Prifti iu shtua tempullit të përjetësisë! Regjisor i analizës psikologjike, i gdhendjes së karaktereve, që iu largua klisheve të kohës, Prifti ka lënë pas një shkollë për filmin shqiptar. U prehsh në paqe mjeshtër!’- shkruan ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Vladimir Prifti lindi në Tiranë, me 1 Qershor 1942. U diplomua në shkollën e lartë për aktorë, «Aleksandër Moisiu». Më pas u emërua aktor në Teatrin Popullor. Luajti disa role dytësore atje. Spikati me Kogon te drama «Fytyra e dytë» e Dritëro Agollit (1968).

Pas disa përvojave si asistent regjisor në këtë teatër, në vitin 1974 filloi punë si regjisor pranë TVSH-së. Prej këtej e ka zanafillën edhe pasioni i tij për filmin. E nisi në mënyrë premtuese me dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë, «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» (1976), duke e shndërruar shfaqjen teatrore në gjuhën e veçantë të filmit televiziv. Vijoi mandej edhe me filmin «Kur hidheshin themelet» (1978), sipas dramës së KoIë Jakovës, «Lulet e Shegës».


U nderua me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikes të klasit të parë me filmin e tij artistik «Udha e shkronjave» (1978). Ky film mbetet edhe sot e kësaj dite ndër kulmet e tij, duke qënë një film i frymezuar, i kahut psikologjik, me nënshtresa e tonime të thukëta dramatike, mesazhe të fuqishme, karaktere të realizuara, tension e suspansë. Shtysa është marre nga tregimi «Buka dhe thika» i Dhimistër S. Shuteriqit. Ndërsa fabula e një rrugëtimi të Dhaskal Todrit me gërmat e shqipes mbi kuaj, vrasja e tij, si dhe ai pak dialog i tregimit kane pësuar transformime e pasurime, në sajë të imazhit të pasur filmik që ështe përftuar gjatë realizimit.

Në filmin «Era e ngrohtë e thellësive» (1982), pavarësisht zbukurimit që i bëhet jetës në minierë, i kushton vëmendje marrëdhënieve njerëzore dhe nevojës per besim, dashuri, dinjitet. FiImi i tij i parë i prodhuar në kinostudion «Shqipëria e re» ishte «Kush vdes në këmbë» (1985). Në këtë film vijon të konsolidojë stilin e tij me theks dramatik e tragjik, për dimensionin social të faktit, ashpërsine e veprimit duke vënë në qendër figurën vetëmohuese te Petro Nini Luarasit, raportet e tij me kishën, administratën turke, armiqtë e gjuhës dhe të mëkëmbjes kombëtare, etj.

Në filmin «Dhe vjen një ditë» ai veçon tashmë planet psikologjike, fshehur pas një dialogu në dukje të zakonshëm, që gërshetohet me episode të ndjera të njerëzve të thjeshtë në fshat, ku fillon edhe kuptimi i të vertetes prej individit të tjetërsuar nga tundimi për pozitë, privilegje e karrierë. Me ketë film kinematografia shqiptare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias (1987).

Më tej do të realizonte filmin e arrirë «Flutura në kabinën time» (1988), fitues i çmimit të dytë në Festivalin VIII të Filmit Artistik. Regjisori paraqet me një realizëm të thellë aftësinë e njeriut për t’u prirur drejt së mirës, virtytit e fisnikërisë, pavarësisht rrethanave të pavaforshme të jetës.

Realizuar me shumë mjeshtëri është edhe filmi «Dasma e Sakos» (1998), fitues i disa çmimeve. Falë një subjekti të pasur me ide, karaktere dhe ngjarje, regjisori është kujdesur per të krijuar metaforën e shterpësisë së burrit, njeriut ambicioz e hakmarrës dhe të vetë raporteve të prapambetura të pronësisë perballë fisnikërisë, dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Në një realitet në dukje të mbytur nga Iuksi dhe pasuria, por në fakt të vobektë shpirtërisht dhe armiqësor, spikat aftësia e regjisorit për të realizuar aktrime me vërtetësi, plot tension e dramacitet, sikunder aftësia e tij për të krijuar sinteza historike nëpërmjet imazhesh domethënëse.

Vladimir Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000-2004, ndër to mund të përmenden: «Të bekuarit», «Legjenda e baltës», «Rruga Egnatia», «Butrinti». Ky i fundit ka edhe elementet e filmit artistik, pasi ndërtohet mbi një fabul dhe personazhe të trilluara. FiImi fitoi një çmim të veçantë në Festivalin e X-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë. Vladimir Priftit i është dhënë titulli «Artist i merituar».