zoom

Aktualitet

Kërcënonin sigurinë e pushuesve, bllokohen 2 skafe në Palasë e Zvërnec. 1 mln lekë gjobë pronarëve

Sezoni veror turistik ka nisur prej dy javësh, por problematikat nuk mungojnë, deri te kërcënimi i pushuesve.

Policia njoftoi se ka bllokuar sot dy skafe në Palasë dhe Zvërnec të Vlorës, pasi akuzohen se kanë shkelur perimetrin e sigurisë në det. Ndërkohë, ndëshkohet me masë administrative 100,000 lekë të rinj drejtuesi i një prej mjeteve lundruese.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare sqaruan se po vijojnë monitorimin e hapësirës detare me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së pushuesve në plazhet e vendit.

“Brenda 24 orëve në Palasë dhe Zvërnec bllokohen dy mjete lundruese që shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Si rezultat i monitorimeve, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bllokuan një tjetër mjet lundrues në plazhin e Zvërnecit, që shkeli perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Ndëshkohet me masë administrative 100,000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit lundrues”, thuhet në njoftim.

Në Palasë u bllokua një mjet lundrues gomone që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë të rinj drejtuesin e mjetit lundrues.

Kurse në Zvërnec, u bllokua një tjetër mjet lundrues gomone, që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

“Shërbimet e Policisë Kufitare ndëshkuan pronarin e mjetit lundrues, shtetasin B. F., me masën administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe bllokuan mjetin lundrues gomone në SPK Triport. Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe patrullat tokësore, vijon monitorimin dhe kontrollin e të gjitha zonave bregdetare dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional”, theksoi policia vendore. /ZOOM.AL/