zoom

In Zoom

Keq me sondazhet! Rama zbythet nga fasha 800 Kwh për energjinë elektrike

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot befas se ishte tërhequr nga rritja e çmimit të energjisë elektrike pas konsumit të 800 Kwh në muaj për familje.

Njoftimi i kryeministrit vjen pas disa muajsh fushate politike dhe mediatike të bërë prej tij dhe mediave pranë qeverisë se rritja çmimit ishte e pashmangshme, për arsye se e gjithë bota po vepronte njësoj.

Por sot kreu i qeverisë tha se kërkesa për energji nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), është më e ulët sesa ishte më 1 shtator kur u fol për fashën mbi 800 KËH.

“Rritja e nivelit të baseneve në hidrocentrale, por edhe fillimi i qasjes pozitive të abonentëve familjarë për të kursyer energjinë, ndikuan në këtë vendim të qeverisë për heqjen e fashës”, -deklaroi Rama.

Por a është vërtet përmirësimi i situatës hidrike në kaskadën e Drinit arsyeja e vendimit?

Të dhënat e furnizuara nga KESH tregojnë se Fierza është në nivel mesatar, prej 271 metrash, shumë larg kuotës maksimale prej 296 metrash.

Zoom.al ka mësuar se arsyeja nuk ka të bëjë me reshjet, që siç duket nga shifrat, nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të ndjeshëm në HEC-in e Fierzës. Një burim konfidencial i tha Zoom.al se kryeministri ka zhvilluar sondazhe të njëpasnjëshme për të testuar vendimin e tij për rritjen e çmimit të energjisë. Në të gjitha anketimet, sipas burimit të Zoom.al, reagimi i qytetarëve ka qenë negativ dhe mbështetja për Ramën ka pësuar rënie të ndjeshme.

Shkaku kryesor i rënies së mbështetjes ka qenë pikërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Qeveria Rama po përgatitet për fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2023, sfida e parë prej vitit 2009 ku ai do të ketë përballë sërish Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Me PD – PL përballë, Rama po përpiqet të krijojë sa më pak pakënaqësi në elektoratin që po vuan nga rritja e ndjeshme e çmimeve të produkteve ushqimore, e mallrave, transportit dhe kostos së jetesës në përgjithësi, teksa sheh që shpenzimet e luksit të qeverisë po rriten dhe biznesmenët pranë qeverisë po subvencionohen me miliona euro.

Ndikim negativ ka sjellë edhe mbajtja e çmimit të naftës në nivelet më të larta në rajon, në një kohë kur në bursat ndërkombëtare çmimi është më i ulët se para luftës në Ukrainë, kohë kur në Shqipëri nafta shitej me afro 170 lekë për litër. /Zoom.al