zoom

Bota

Këngëtarja ukrainase pezullohet nga Eurovision-i 2022 për shkak të një udhëtimi në Krime

Këngëtarja ukrainase Alina Pash u shpreh se është gati të përfaqësojë vendin e saj në Eurovizionin e këtij viti, pasi u shpall fituese e kompeticionit televiziv në vendin e saj.

BBC shkruan se transmetuesi kombëtar i Ukrainës “UA:PBC” ka lënë pezull nënshkrimin e marrëveshjes që e lejon këngëtaren të jetë përfaqësuese e vendit të saj në “Eurovision 2022”.

Raportohet se këngëtarja 28-vjeçare është në hetim për një udhëtim të vitit 2015 që ajo bëri në Krime, një zonë që Rusia mori nën kontroll një vit para se ajo ta vizitonte. Në këtë mënyrë udhëtimi i saj në Eurovizion është pezull deri në përfundim të hetimeve.

Hetimi për vizitën e saj në Krime vjen ndërsa bota është në pritje nëse Rusia do të pushtojë Ukrainën.

“Ne tashmë kemi kaq shumë probleme. Pandemia është një prej tyre. A kemi nevojë për luftë? Jeni seriozë?” thotë Alina për Radio 1 Neësbeat.

Pse është i diskutueshëm udhëtimi i Alina Pash në Krime?

Vizita në Krime mund të jetë e pazakontë dhe ka rregulla strikte mbi mënyrën se si njerëzit udhëtojnë në këtë rajon.

Ukrainasit dhe të huajt lejohen të udhëtojnë atje vetëm përmes postblloqeve zyrtare tokësore. Është e paligjshme sipas ligjit ukrainas të udhëtosh në Krime nëpërmjet Rusisë.

Alina u ka ofruar autoriteteve prova se si ajo hyri në rajon, por çështja është ende në shqyrtim.

Në një deklaratë për Neësbeat, transmetuesi publik i Ukrainës thotë se “po pret përgjigjen e Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare” për të konfirmuar vlefshmërinë e dokumentit.

Alina ka rrëfyer se disa njerëz po pretendojnë se ajo nuk është ukrainase: “Unë jam një vajzë ukrainase. Unë po flas në ukrainisht dhe kënga ime ka të bëjë me Ukrainën.”

Në lidhje me situatën e tensionuar mes dy shtetev, Alina tha se disa nga miqtë e saj tashmë janë të frikësuar dhe i kanë çantat gati në rast se duhet të arratisen.

“Ne duhet të jemi gati,” thotë ajo duke shpjeguar se nëse Rusia pushton, ajo do të jetë e gatshme të “luftojë”.

“Unë besoj në mesazhin tim se ne nuk kemi nevojë për luftë, por nëse ata (Rusia) do të na shtyjnë, ne do të qëndrojmë së bashku. Artistët si unë duan të krijojnë diçka të mirë. Ne duam të krijojmë lajme të lehta dhe pozitive, por ne po jetojmë në këtë realitet. Ne do të reagojmë. Ne nuk do të vrapojmë.”, përfundoi këngëtarja. 

 

Postime të lidhura