zoom

Bota

“Kemi benzinën më të lirë se Anglia”, Presidenti brazilian fushatë gjatë funeralit të mbretëreshës

Presidenti brazilian Jair Bolsonairo është bërë viral në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje nga Anglia, aty ku kishte shkuar për të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II.

Por përveç funeralit të monarkes, zyrtari nga Brazili e ka shfrytëzuar këtë rast për të bërë dhe një video ku u drejtohej qytetarëve të tij për çmimin e karburantit.

Ai ka filmuar veten teksa bën një krahasim mes çmimit të karburantit në Londër dhe atij në qytetet e Brazilit, ndërsa thotë se këta të fundit kanë karburantin më të lirë.

Në një video të filmuar me celular, Bolsonaro tha se kostoja është “praktikisht dyfishi i mesatares së shumë shteteve braziliane” dhe gjithashtu pretendoi se karburanti në Brazil është ndër më të lirët në botë.

“Unë jam këtu në Londër, Angli, dhe çmimi i benzinës është 1.61£, kjo është rreth 9.70 R$ për litër. Benzina jonë është në fakt, ndër më të lirat në botë”, pohoi ai.

Videoja u postua në internet një natë para funeralit të Mbretëreshës. Disa komentues në mediat sociale kritikuan pretendimin e Bolsonaro dhe thanë se nuk është një krahasim i drejtë pasi paga minimale e Brazilit është shumë herë më e ulët se ajo e Britanisë.

Presidenti i Brazilit ka trumbetuar një rënie të çmimit të karburantit, ndërsa ai përpiqet të fitojë zgjedhjet e muajit të ardhshëm. Sondazhi i fundit nga IPEC tregon se ish-lideri Luiz Inacio Lula da Silva është përpara Bolsonaros, me 47% kundrejt 31%.