Aplikacion
Kjo u bë e ditur nga Ministri i Financave, Ervin Mete, në komunikimin me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Ministri informoi se me miratimin e vendimeve të sotme avancohet faza e dytë e politikës së rritjes së pagave, e cila ka nisur në vitin 2023, fazë nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës shtetërore. Ministri theksoi faktin se me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.
“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, u shpreh Mete.
Nga politika e rritjes së pagave, vijoi më tej ministri Mete, do të përfitojnë: punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar; punonjësit e sistemit shëndetësor; punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi); si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Nga ana tjetër, Ministri Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.
Gjithashtu edhe rrogat e Forcave të Armatosura, pavarësisht gradave, nga 1 korriku do të kenë rroga më të larta. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai tha se rrogat e FA-ve do të pësojnë rritje çdo vit.
Po ashtu një lajm i mirë vjen dhe për zjarrfikësit, të cilët janë përfitues nga ky vendim i qeverisë.
“Sa i përket pagave për FA-të, por dhe për personelin Civil. Dua të jap lajmin e mirë për të gjitha nivelet, nga ushtari i katërt, te gjeneralët. Do të kenë rritje të pagave. Pagat e FA-ve do të rriten çdo vit. Jemi shumë afër, duke kaluar vendet e rajonit, duke shkuar drejt vendeve dinjitoze. Për ushtarin e katërt, paga do të shkojë në 71 mijë lekë, pra një rritje prej 290 mijë lekësh. Të gjitha pagat që do të lexoj, iu shtohen dhe trajtimi me ushqim. Këtë duhet të dëgjojnë të gjithë të rinjtë, pasi e nisin me një pagesë 820 mijë lekë në dorë.
Politika e këtij viti, e këtij vendimi, është nga 7 deri në 22%. Ata që janë asistentë zjarri, do iu shkojë rroga në 60 mijë lekë. Për zjarrfikësit, paga iu shkon në 65 mijë. Kryezjarrfikës shkon paga 70 mijë”, tha Peleshi.
Edhe ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ka njoftuar pas mbledhjes së qeverisë, se është miratuar rritja e pagës për mësuesit.
Ajo ka zbuluar se paga mesatare shkon në 950 euro, çka në përllogaritje i bie që mësuesit të marrin tre paga më shumë në vit, nëse e llogarisim me pagën aktuale. Rritja e pagave e nis efektin që nga 1 korriku.
“Nga korriku rritje page për 30 mijë punonjës, rritja më e madhe në dekada. Paga mesatare rritet me 3 paga në vit, duke e çuar pagën mesatare të mësuesve në 950 euro”, tha ajo.
Ministristrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, teksa njoftoi rritjen e pagave për bluzat e bardha, preku edhe çështjen e skandalit te Onkologjiku. Ajo ka deklaruar sot pas mbledhjes së qeverisë se ka nisur hetim administrativ në lidhje me skandalin tek Onkologjiku.
Kurse për nivelin e rrogave u shpreh: “Rritja do të jetë 20 mijë lekë mbi pagën për mjekët, për infermierët 15 mijë lekë mbi pagën”. /ZOOM.AL/
Vrasja në Ndroq, autori dëshmon në polici: Më ofendonte vazhdimisht, e kam mbajtur me bukë