Aplikacion
A ka shans t’ia dalësh në një vend ku realiteti më shumë i ngjan skenarit të një filmi apokaliptik sesa jetës së përditshme?
1. Qeveri e korruptuar
Qeveria, është kaq e zhytur në korrupsion, dhe këtu korrupsioni shfaqet me një guxim të tillë, saqë nuk ka më asnjë pengesë që vendi të shpallet: “Trashëgimi Botërore e UNESCO-s për Kleptokraci”. Këtu shërbëtorët publikë janë më të pasur se zotërinjtë të cilëve u shërbejnë dhe qeveria rrezikon të humbasë zgjedhjet vetëm nëse kalon një javë pa prodhuar një skandal më të madh se para ardhësi.
2. Opozitë e dërrmuar
Në radhë vjen opozita, ose ajo çfarë ka mbetur prej saj. Ajo fton dhe organizon protesta për ta rrëzuar qeverinë, e cila është rrëzuar prej kohësh, por ka zënë përfund edhe vetë atë. Opozita sot është po aq efektive sa një semafor në mes të Saharasë.
3. Drejtësi e mbaruar
Sistemi i drejtësisë, duket se ka keqkuptuar konceptin e ‘drejtësisë së verbër.’ E verbër ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe të pamundurve, por syshqiponjë ndaj pushtetit. Peshorja e drejtësisë nuk është e pjerrët, por e përmbysur. Mjaf të shohësh me çfarë guximi gjyqytarët Kushtetueses dhe gjykatës së Lartë i japin (gjithmonë) të drejtë qeverisë .
4. Media e shformuar
Media i ngjan një pasqyrë argëtuese, që shtrembëron realitetin në atë masë sa e vërteta fillon të dyshojë te vetja. Eshtë një cirk ku kllounët mendojnë se ky vend ka dy të këqija të mëdha: opozita nuk po qeveris mirë dhe populli nuk është mirënjohës sa duhet ndaj qeverisë. Median nuk e zë gjumi nëse çdo ngjarje nuk e kthen në një serial ku çdo fakt është opsional dhe çdo opinion është fakt.
5. Shoqëria Civile e hutuar
Pavarësisht qëllimit të shpallur, përfundimi është gjithmonë i njëjtë: një grup njerëzish të mbledhur rreth një ideje që askush nuk e kupton, por të gjithë janë të sigurt që është e rëndësishme. Intelektualët kanë guxim për të kritikuar BE, Rusi, Kinë, por nuk hapin gojën përballë pushtetit.
E megjithatë…
…në mes të këtij kaosi, njerëzit jo vetëm që mbijetojnë; por ecin përpara. Duket sikur janë vaksinuar me një dozë shtesë rezistence të përzier me një injeksion absurditeti. Kjo mbijetesë në një vend ku drejtuesit e institucioneve janë më të vjetër se vetë institucionet flet vetëm për rezistencën e shpirtit shqiptar.
Kjo nuk është pak, në një vend ku kaosi nuk e ndërpret jetën, por është mënyrë jetese. Jeta vijon nën hijen e një absurditeti të vazhdueshëm. Nuk ka më ankesa. Nuk të habit më asgjë. Përgjigja është buzëqeshja dhe mbledhja e shpatullave rreth qafës: “Mund të ishte edhe më keq”.