zoom

Politikë

Kaos në Parlament – Berisha bllokon foltoren, Basha flet nga vendi. Spiropali e quan memec

Seanca e sotme plenare nisi me debate të forta, fillimisht për çështjen e kreut të grupit parlamentar të PD mes Lulzim Bashës e Gazment Bardhin dhe më pas për tensionet në veri të Kosovës.

Ish-kryeministri Sali Berisha e përqendroi fjalën e tij në një deklaratë të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, e quan veriun tokë të askujt.

Kjo për Berishën është një deklaratë e turpshme që kërkon të mbahet qëndrim.

“Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë, deklarata superskandaloze e Pashiqit shqiptar, se Kosova e veriut është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiçi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç?”, deklaroi Berisha.

Berisha bllokon foltoren

Por pasi i mbaruan minutat, Berisha vijoi fjalën edhe me mikrofonin fikur, duke bllokuar foltoren.

Basha nga ana tjetër fliste dhe replikonte nga vendi i tij.

Reagon Spiropali

Në një reagim për situatën e krijuar, ministrja Elisa Spiropali e quajti Bashën një memec që i ka ardhur goja.

“Sot më kujtuat një film realist që doktori duhet ta dijë se e ka bërë karrierën e tij, si në këto filma. Disa diversantë dhe sigurimsa, ju jeni në rolin e sigurimsit, dhe merren me njëri tjetrin. Saliut mund t’i shkojë për shtat ajo shprehja; memecit i erdhi goja. Në këtë rast zotit Lulzim i erdhi goja në Kuvend, i erdhi hidhur”, tha Spiropali.

Përgjigjet Basha

Nga ana tjetër, Lulzim Basha u përgjigj duke akuzuar mazhorancën se po pengon interpelancën për Kosovën.

“Zonja Spiropali. Në fakt ke të drejtë, ka ardhur dita që të bësh atë që ke ndërmend. Por fakti është që nuk bëhet për interesa të shtëpisë time, por ju jeni në shkelje. Keni ndërmend shprehjen; përça dhe sundo. Ju nuk doni të flisni për Kosovën. Zonja ministre ku e keni interpelancën e PD e varrosët bashkë me kryetarin e Kuvendit. Po deklarata e tij që KFOR të marrë në zotërim Veriun. Por a nuk e di që KFOR e ka në mandatin e vetë për kontrolle në Kosovë dhe Policia e Kosovës po ashtu. Juve ju intereson ky teatër. Ditën teatër, natën kulla”, deklaroi Lulzim Basha.