zoom

Lajme

“Kampion për të marrë miliona lekë nga buxheti i shtetit/ PD denoncon deputetin e PS

Partia Demokratike denoncoi në media këtë të martë zhvatjen që po i bëhet buxhetit të shtetit nga deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.

Sipas grupit parlamentar demokrat, Sinaj ka përfituar miliona lekë nga buxheti i shtetit përmes kompanive të tij private.

Për këtë arsye, PD kërkon heqjen e mandatit si deputet për Vullnet Sinajn, duke shtruar kërkesën që kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina. Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.

Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.

Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend“, thuhet në njoftimin e PD.