Aplikacion
Zonja Harris do të zotohet para amerikanëve sot se do të punojë për të përmirësuar jetën e tyre, duke i mëshuar argumentit se rivali i saj, Trump punon vetëm për veten e tij.
Ndërsa mbetet një javë nga dita e zgjedhjeve, fjalimi i zonjës Harris në vendin e njohur si Elipsi, referuar ndonjëherë si Parku Jugor i presidentit, pranë Shtëpisë së Bardhë, është projektuar për të inkurajuar amerikanët të bëjnë dallimin mes një të ardhmeje me të (Harris) në Zyrën Ovale, apo me Donald Trumpin.
Ajo shpreson të vërë theksin në kontrastin mes tyre, duke e mbajtur fjalimin nga i njëjti vend ku gati 4 vjet më parë, zoti Trump pohoi pa fakte se zgjedhjet e vitit 2020 u manipuluan, dhe ku frymëzoi turmën e mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit në një përpjekje që dështoi, për të penguar çertifikimin e rezultatin që shpallte fitues demokratit Joe Biden.
Ndihmësit e fushatës së zonjës Harris thanë se ajo synon të përforcojë argumentet se pse votuesit duhet të refuzojnë zotin Trump dhe të marrin në konsideratë politikat që ajo ofron.
“Ka një ndryshim të madh mes meje dhe atij” u tha zonja Harris gazetarëve të hënën që e pyetën lidhur me përmbatjen e fjalimit.
“Nëse (Trump) zgjidhet, ditën e parë që ai do të ulet në Zyrën Ovale do të punojë në hartimin e listës së armiqve të tij. Ndërsa unë, në ditën e parë, nëse do të zgjidhem, siç dhe pres që të ndodhë, do të punoj në emër të popullit amerikan dhe do të hartuar listën e detyrave që kam”, tha ajo.
Pas fjalimit të saj në kryeqytet, zonja Harris do t’i rikthehet shteteve të fushëbetëjës në kërkim të mbështetjes.
Tubimi vjen disa ditë pasi zonja Harris udhëtoi në Teksas, një shtet i njohur për besnikërinë ndaj republikanëve ku ajo u shfaq krah këngetares së famshme amerikane Beyoncé. Nënpresidetja vuri theksin tek pasojat që ka sjellë për gratë rrëzimi nga Gjykata e Lartë amerikane e vendimit historik ‘Row kundër Wade’, që ofronte mbrotje kushtetuese për abortin.
Fjalimi në këtë shtetet kishte mesazhe që synonin të rezononin me votuesit në shtetet e fushëbetejës.
Për fjalimin në Uashington të nënpresidentes është punuar prej javësh, por ndihmësit e saj shpresojnë se mesazhi që zonja Harris do të përcjellë, do të ketë më shumë ndikim për shkak dhe tubimit të zotit Trump të dielën në arenën “Madison Square Garden” të Nju Jorkut.
Tubimi u përshkrua nga mesazhe fyese e raciste të mbështetësve të zotit Trump që morën fjalën, hedhur në drejtim të grupime të ndryshme në vend.
Zonja Harris tha se ajo që ndodhi në Nju Jork vuri theksin tek ajo “se Trump është i fiksuar në ankesat e tij, tek vetja dhe tek ndarja e vendit”, siç tha ajo.
Zonja Harris pritet ta përdorë fjalimin e saj në Uashington për të parashtruar një plan pragmatist dhe largpamës për vendin, duke u kujtuar votuesve planin e saj mbi ekonominë, si dhe premtimin për të punuar me vendosmëri për qasje tek kujdesi riprodhues, përfshirë abortin.
Gjithashtu qendrore në mesazhin e saj do të jetë dhe pozicionimi i saj si një “gjeneratë e re” udhëheqësish, pas zotit Trump dhe madje edhe shefit aktual të saj, zotit Biden.
Ndihmësit e zonjës Harris, shumë prej të cilëve ishin këshilltarë të fushatës së zotit Biden për t’u rizgjedhur përpara se të largohej nga gara, besojnë se përqendrimi tek ajo se kush është Trump dhe se çfarë mund të bëjë ndryshe zonja Harris, është mesazhi i tyre më i fortë për votuesit.
Guvernatori demokrat i Pensilvanisë Josh Shapiro, tha se ishte e rëndësishme që votuesve në shtetet fushëbetejë t’u bëhej e qartë se cilat do të ishin pasojat e zgjedhjes që ata do të bënin më 5 nëntor.
Ai tha se zonja Harris kishte propozime të forta lidhur me ekonominë, lirinë riprodhuese, duke shtuar se ajo “ka një vizion që do të sjellë më shumë rregull, më shumë shpresë e më shumë gëzim”.
Ndërkohë sot zoti Trump në një takim me gazetarët në klubin e tij në Mar-a-Lago të Floridës do të përpiqet të kundërshtojë paraprakisht tezat e fjalimit të zonjës Harris, sipas një personi në dijeni të kësaj çështjeje. VOA/