zoom

Bota

Kamala Harris merr mbështetjen e demokratëve, nis fushatën me sulme kundër Trump. I kujton dënimet

Kamala Harris duket se ka siguruar mbështetjen e shumicës së demokratëve për kandidaturën e saj në zgjedhjet presidenciale kundër Trump dhe nuk ka humbur aspak kohë, duke nisur fushatën.

Si ish-prokurore dhe si një grua që mbështet viktimat e seksizmit, Kamala Harris nisi një sulm të ashpër ndaj Donald Trump. Në paraqitjen e saj të parë si kandidate e mundshme për presidente, Harris sulmoi kundërshtarin e saj, duke theksuar se ai ishte dënuar për një sërë krimesh të rënda, duke përfshirë sulmin seksual ndaj një gazetareje dhe autores Elizabeth Jean Carroll. Nga ana tjetër, vetë Kamala Harris ishte një kryeprokurore për një kohë të gjatë në shtetin e Kalifornisë.

Madje, pak kohë pas këtij fjalimi, nga mediat amerikane u bë e ditur se Kamala Harris arriti të plotësonte numrin e nevojshëm të votuesve për të marrë nominimin e demokratëve për zgjedhjet e nëntorit. Deri më 7 gusht, kandidati demokrat për president do të jetë zgjedhur. Ndërkohë, kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC), Jamie Harrison, tha dje të hënën se fraksioni do të ketë vendosur për kandidatin e tij ose të saj për presidencë më 7 gusht, duke shtuar se angazhohet që procesi të jetë “i hapur” dhe “i drejtë”.

“Kur shpalla kandidaturën time thashë se doja ta fitoja. Sot jam krenar që kam siguruar mbështetjen e gjerë të nevojshme për t’u bërë kandidati demokrat. Pres që së shpejti ta pranoj zyrtarisht këtë kandidaturë”, tha Kamala Harris. Në të njëjtin fjalim në Delaware, ndërhyri dhe Joe Biden, në daljen e tij të parë publike pas infektimit me koronavirus. Presidenti amerikan deklaroi se do të vazhdonte të punonte dhe për nominimin e Harris. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se “Trump mbetet një rrezik”, ndërsa premtoi gjithashtu një turne për të mbështetur zëvendëspresidenten e tij.

Vetë Kamala Harris nuk e përdor diferencën në moshë me Trump si argument në favor të saj. Në fjalimin e mbajtur në Delaware, selia e stafit të fushatës që ajo “trashëgon” nga Joe Biden, Harris u fokusua në dosjen e rëndë kriminale të rivalit të saj. Trump u dënua së fundmi për 34 krime të ndryshme në rastin e Stormy Daniels.

Në përpjekjen e tij për të shlyer heshtjen e yllit të pornos për marrëdhënien e tyre të papërshtatshme, Trump akuzohet se kreu disa paligjshmëri, të llojit financiar dhe tatimor. Në të njëjtën kohë, ndaj Trump janë në pritje të paktën edhe tre akuza të tjera, veçanërisht të rënda, për komplot, ndërhyrje në rezultatet e zgjedhjeve, etj.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka marrë miliona dollarë donacione për fushatën e saj elektorale. Brenda vetëm 24 orësh pasi ajo shpalli zyrtarisht se synon të zgjidhet si kandidatja presidenciale e demokratëve, ekipi i saj elektoral njoftoi se ka marrë 81 milionë dollarë donacione nga më shumë se 888,000 donatorë. Harris mbështetet tani tek ekipi i fushatës së Joe Bidenit, i cili e ka ndryshuar tani emrin në “Harris për President”. Në një e-mail Bideni u kërkoi mbështetësve të tij që të dhurojnë për fushatën e Kamala Harris.

Pelosi mbështet Harris

Ish-kryetarja me ndikim e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi se mbështet zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidate e demokratëve për presidente.
Më parë ajo nuk kishte bërë asnjë deklaratë mbështetjeje për Harris. “Politikisht, nuk ka dyshim se si grua në politikë Kamala Harris është brilante dhe e zgjuar dhe kam besim të plotë se ajo do të na çojë drejt fitores në nëntor,” deklaroi Pelosi.

Edhe 3 guvernatorë të tjerë për Harris

Pasi presidenti amerikan Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat tjetër, gjithnjë e më shumë demokratë amerikanë po mbështesin zëvendësen e tij Kamala Harris. Kandidaturën e Harris e mbështet tani edhe guvernatori i Illinois J.B. Pritzker. Sipërmarrësi miliarder shkroi në Platformën X se është krenar që mbështet Zëvendëspresidenten Harris për Presidente të Shteteve të Bashkuara. Edhe guvernatori i Maryland-it, Wes Moore dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, e cila gjithashtu konsiderohej herë pas here si kandidate, i premtuan tani mbështetjen e tyre Harris. “Le ta fitojmë këtë garë, Kamala Harris!” shkroi ajo në X, ku postoi një deklaratë në të cilën shprehte mbështetjen e saj për zëvendëspresidenten. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura