zoom

Ide & Blog

Ka lajthitur SPAK apo Edi Rama?

Reagimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama kundër SPAK-ut, për shkak të vendimit të Prokurorisë së Posaçme për të monitoruar procesin zgjedhor, me qëllim ndëshkimin e krimeve zgjedhore, përbën një prej sulmeve më të pazakonta dhe më absurde të një kryetari qeverie ndaj drejtësisë.

“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”, – deklaroi kryeministri Rama në rubrikën e tij mëngjesore “Sy më Sy”.

SPAK ka njoftuar daljen në terren me një Task – Forcë për zgjedhjet, për të hetuar krimet zgjedhore, të cilat janë tagër i kësaj prokurorie, siç u dëshmua në rastin e dënimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Belerit.

Edi Rama e quajti këtë një lajthitje, por në fakt ky qëndrim duket më shumë si lajthitja e një pushtetari që ka frikë se SPAK do të zbulojë atë që opozita e thotë me zë prej vitesh, “një rrjet kriminal që lidhet me pushtetin e tij”.

Është e paradoksale se si një kryeministër që rreh gjoksin si njeriu që solli drejtësinë e re për të luftuar korrupsionin të mos pranojë të hetohet krimi më i rëndë në një demokraci, siç është vjedhja e pushtetit.

Qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë ngre disa pyetje thelbësore: Nga çfarë ka frikë Edi Rama? Pse një lider që pretendon se respekton drejtësinë dhe transparencën është kaq i shqetësuar nga monitorimi i SPAK? Nëse ai nuk ka frikë nga hetimet, atëherë për çfarë shërben ky qëndrim i ashpër? Nëse ai mendon se shqiptarët e votojnë dhe ai gëzon mbështetjen e tyre, se administrata nuk shkel asnjë lloj ligji, se bandat nuk bashkëpunojnë me pushtetin për të blerë vota, nga çfarë ka frikë kryeministri i Shqipërisë? A nuk tregon kjo frikën se SPAK do të pengojë më në fund blerjen masive të votave, intimidimin e votuesve nga pushtetarët dhe bandat kriminale dhe përdorimin e administrates në zgjedhje?

Sulmi i Ramës ndaj SPAK duket si një përpjekje e pastër për të minuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por edhe frikë se hetimet e SPAK do të nxjerrin në pah skema të ngjashme me ato që shqiptarët panë nga dosjet 339 dhe 184, një pjesë e përgjimeve të të cilave u publikuan në gazetën gjermane “Bild”. Në këto përgjime telefonike del edhe vetë kryeministri Rama duke folur me njerëz të botës së krimit, apo pushtetarë të tjerë të cilët bëjnë presion të hapur për vota.

Në çdo vend normal një kryeministër do ta kishte mbështetur dhe duartrokitur një iniciativë të tillë të institucioneve të drejtësisë dhe jo të përplaste duart në formë kuje e kërcënimi se SPAK po i bën gjëmën demokracisë. Kjo qasje e Edi Ramës tregon se ai nuk e pranon një drejtësi të pavarur, aq më tepër kur ajo rrezikon t’i shkërmoqë skemën e mbajtjes së pushtetit.

Përballë këtyre qëndrimeve të rrezikshme dhe presioneve të hapura që nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, SPAK duhet të tregojë se sa seriozisht e ka ai luftën kundër krimit dhe kundër pushtetarëve të korruptuar. Sepse, sa serioz është Rama në ato që bën, shqiptarët po e shohin vetë, pa qenë nevoja as ta pyesin. Ai po ua thotë përditë “Sy më Sy”. /Zoom.al

View this post on Instagram

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Postime të lidhura