zoom

Lajme

“Ka fekale gjithandej” / Liqeni i Ohrit rrezikon të humbë statusin në UNESCO

Liqeni i Ohrit është ndër liqenet më të vjetra në Evropë dhe ka statusin e Vendit të Trashëgimisë Botërore nga Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, e njohur si UNESCO, për speciet unike që jetojnë në të, por ai tani është në rrezik. Ndotja nga ujërat e zeza të patrajtuara që derdhen në liqen, në kufirin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po i mbyt peshqit dhe e ka shtyrë organizmin e OKB-së që të kërkojë pastrimin e tij.

“Uji është gjithmonë i kuq, i verdhë, kaf. Lumenjtë që derdhen në të nga të gjitha anët janë të ndotur. Unë nuk ka notuar këtu prej 3-4 vitesh. Nuk i besoj cilësisë së ujit, nuk është i pastër. Shoh fekale gjithandej”, tha një nga banorët e Ohrit.

Sipas ekspertëve, qindra objekte janë ndërtuar pa leje në brigjet e Ohrit, mes zhvillimit të shfrenuar dhe një bumi turistik.

Ndërkohë, ujërat e zeza të patrajtuara dhe mbeturinat industriale po dëmtojnë florën e faunën. Këtu përfshihen edhe speciet endemike, siç është trofta e Ohrit.

“Problemi është se ky biodiversitet ekziston në një mjedis në të cilin nuk mund të riprodhojë. Madje, nuk ka as vend ku mund të jetojë. Prandaj popullata e tyre po tkurret, sidomos 10 vitet e fundit”, thotë Zllatko Llevkov, biolog në Universitetin e Shkupit.

Në anën tjetër, popullsitë e specieve joendemike po shtohen në mënyrë dramatike, sqaron ai.

Ambientalistët paralajmërojnë se Ohri mund ta humbë statusin në Unesco dhe ndërkohë që nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare, Unesco ka bërë 19 rekomandime për pastrimin e Ohrit.

Problemi më i madh qëndron tek fakti se rreth 35 për qind e bizneseve nuk janë të lidhura me sistemet e kanalizimeve ndërkohë që autoritetet kanë thënë se do e rinovojnë sistemin e kanalizimeve.

Por, në të njëjtën kohë, ka edhe plane për më shumë hotele dhe resorte…/REL/